Falënderimi i takon Allahut, që vepron dhe gjykon çfarë të dojë. Dëshmojmë dhe deklarojmë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë pos Allahut dhe dëshmojmë dhe deklarojmë se Pejgamberi Muhamed është rob dhe i Dërguar i Tij. Ai ishte thirrës në adhurimin vetëm të Zotit, paqja dhe begatitë e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Metodologjia kur’anore dhe udhëzimi profetik udhëzojnë për edukim përmes ndodhive e ngjarjeve dhe përfitim prej këtyre rasteve për ngritjen e ambicieve dhe mbjelljen e vlerave, për korrigjim të kuptimeve dhe ngulitje të imanit, për marrje të këshillave dhe mësimeve dhe përdorim të tyre për orientimin dhe rregullimin e gjendjes së njerëzve, për lidhje të vetvetes me veprën e jo me rezultatet dhe për preokupim me zgjidhjen dhe frytet e jo me shkaqet dhe problemet.
Virusi Corona (sëmundja Covid-19) është një virus që këto ditë është përhapur jashtë mase mes njerëzve. Ky virus, i cili nuk shihet me sy, ka bërë ndryshime drastike në jetën e njerëzve dhe ka shkaktuar panik dhe frikë, madje për shkak të tij janë zbatuar vendime dhe procedura të rrepta, si mbyllja e shkollave, e universiteteve, e aeroporteve dhe e vendeve të grumbullimit të njerëzve, janë mbyllur madje edhe xhamitë dhe faltoret. Sfidat po vazhdojnë ende, ndërkohë që shifrat dhe lajmet po e mbajnë gjallë këtë krizë.
Virusi Corona është shndërruar në bisedë ditore kudo, në programe televizive dhe rrjete sociale. Por, dy pyetje tejet të rëndësishme parashtrohen: A mjafton që ne të jemi vetëm bartës lajmesh dhe analizash? A ka gjëra më të rëndësishme dhe më madhështore nga të cilat duhet të marrim mësime, këshilla e urtësi?
Nuk ka dyshim se në krijesat e Zotit, në ndryshimin e ndodhive dhe ngjarjeve ka këshilla për ata që dëshirojnë t’i marrin ato, ka nxitje për përkujtim dhe vigjilencë.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَعِبْرَةً لِّأُولِي الْأَبْصَارِ﴾
“Dhe në këtë, me të vërtetë, ka mësim për ata që shohin.” [Nur: 44]
Besimtari duhet t’i shikojë ngjarjet me precizitet, thellësi dhe këshillë. Marrja e mësimeve dhe këshillave është prej suneteve të braktisura dhe në të njëjtën kohë është adhurim madhor.
Ebu Derdaja thotë: “Të meditosh një orë është më e mirë sesa të falesh natën.”
Para se të fundoset dhe të preokupohet me lajme, shkaqe, shifra dhe preventivave materiale për këtë sëmundje dhe të tjera, muslimani duhet të marrë mësime dhe këshilla prej ndodhive dhe sprovave.
Ejmen Shaban
20 Rexhep, 1441h
15 Mars, 2020
Fjala e përkthyesit Rashit Zylfiu
Falënderimet i takojnë të madhit Zot, që me dhuntitë e Tij plotësohen punët e mira. Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Pejgamberin Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët dhe të gjithë pasuesit e tij deri në kiamet.
Jo rastësisht është thënë se kohët e vështira nxjerrin në pah margaritarë, që shpesh as nëpër mend nuk na ka shkuar për to. Ky libër do të mbetet ndër kujtimet e mira për mua dhe për të gjithë lexuesit nga ditët e karantinës 2020, për shkak të virusit Corona (sëmundja Covid-19), që na izoloi.
Në ditët e para të izolimit hasa në këtë libër “Virusi Corona, këshilla dhe mësime” të autorit Ejmen Shaban. Në momentin që fillova ta shfletoja, u ngjall edhe dëshira që këtë libër për shkak të situatës ta sillja edhe në gjuhën shqipe.
Lexues të nderuar!
Ky është një libër tejet aktual për shkak se lidhet me njërën nga ngjarjet e kohës, që na ka përfshirë të tërë dhe në të njëjtën kohë është më shumë se një libër sepse është udhërrëfyes për besimtarët, se si të gjenden dhe t’i tejkalojnë këto sfida me këshillat dhe mësimet që autori ka shkruar.
Libri fillon me hyrjen, ku autori tregon motivet dhe arsyet pse filloi ta shkruante këtë libër, pastaj menjëherë jep njëzet këshilla dhe mësime tejet praktike, të cilat fillojnë me një ajet kur’anor dhe më pas argumentohen me fjalët e Pejgamberit dhe të dijetarëve të hershëm e të atyre bashkëkohorë.
Për t’ia lehtësuar lexuesit dhe për ta kuptuar më lehtë këshillën, unë si përkthyes i kam vendosur një titull çdo këshille.
Më pas autori kalon te pjesa e dytë, “Mburojat parandaluese sheriatike prej sëmundjeve abstrakte dhe konkrete”, mburoja të cilat besimtarëve ua ka garantuar feja islame dhe autori i sjell me argumente nga Kur’ani dhe Suneti.
Autori e mbyll librin me “Udhërrëfyesin” përmbledhës, i cili na ndihmon të kuptojmë pozicionin tonë kur na prekin sëmundjet dhe si të jemi sa më produktivë, që të dimë si të përfitojmë nga këto ndodhi e të mos bëhemi barrë më e madhe sesa vetë sëmundja apo sprova.
Lexues të nderuar!
Sikur ta takoja autorin një ditë, në emër timin dhe tuajin do e falënderoja nga zemra. Lus Zotin ta shpërblejë për këtë kontribut. Ndoshta një ditë takohemi, i thyejmë kufijtë e distancës dhe bisedojmë për kujtimet e librit “Virusi Corona, këshilla dhe mësime”.
Rashit ZYLFIU
20.04.2020
Nga karantina, 2020, Gjilan
Autor: Ejmen Shaban, solli për ju në gjuhën shqipe Rashit ZYLFIU
Fjalë kyçe - seria Virusi corona këshilla dhe mësime