MBUROJAT PARANDALUESE SHERIATIKE PREJ SËMUNDJEVE ABSTRAKTE DHE KONKRETE. Këshilla dhe mësime lidhur me virusin corona

0
2503

MBUROJAT PARANDALUESE SHERIATIKE PREJ SËMUNDJEVE ABSTRAKTE DHE KONKRETE 

 

Në kohën e përshpejtimit të përhapjes së virusit Corona (sëmundja Covid-19), me zgjerimin e zonës gjeografike dhe me përshkallëzimin e valëve të frikës dhe panikut mes njerëzve nga kjo sëmundje infektive, e kemi më se të domosdoshme të rikujtojmë mburojat preventive sheriatike nga sëmundjet abstrakte dhe konkrete.

  1. Ilaçi dhe mburoja e parë dhe më e rëndësishmja në kohë krizash dhe fatkeqësish është kthimi te Zoti. Para se të mendojmë për shkaqet materiale dhe zgjidhjet konkrete e të prekshme, le të kërkojmë strehim, ndihmë e mbrojtje tek Allahu i Madhëruar, që të na mbrojë nga e keqja. Jusufi ﷺ, kur u josh nga zonja e pallatit, tha: 

﴿ قَالَ مَعَاذَ اللَّـهِ

Allahu më ruajt!” [Jusuf: 23]

Merjemja alejha selam, kur i erdhi Xhibrili alejhi selam dhe iu personifikua në formë njeriu, i tha prerazi: 

﴿ قَالَتْ إِنِّي أَعُوذُ بِالرَّحْمَـٰنِ مِنكَ

Unë i mbështetem të Gjithëmëshirshmit prej teje.” [Merjem: 18]

  1. Shpeshtimi i duasë, përgjërimi, përulja dhe ndjenja e varfërisë karshi Zotit për ta larguar sprovën. Lutja është madhështore, ajo ka pozitë dhe vend  të lartë, sepse me të largohet fatkeqësia, ajo është arma e besimtarëve, kalaja e fortifikuar. Duke qenë se sëmundja është caktim hyjnor, lutja luan rol të pazëvendësueshëm, siç është konfirmuar nga Profeti Muhamed ﷺ në transmetimin e Tirmidhiut me zinxhirë të mirë: “Nuk e ndryshon kadanë (caktimin e Zotit) asgjë pos duasë.”

Për pranimin e duasë duhet të realizohen shkaqet, kushtet dhe kriteret plotësuese, siç është ushqimi, veshmbathja, bindja dhe përzgjedhja e kohëve kur ajo pranohet. Profeti Muhamed ﷺ ka përmendur një lidhje tejet të çuditshme mes duasë dhe belasë, siç thuhet në “Sahih el Xhami”, nr. 7739: “Duaja i bën dobi asaj që ka ndodhur dhe që nuk ka ndodhur. Kur zbret belaja, e pengon duaja dhe shtyhen mes vete deri në Ditën e Kiametit.”

  1. Shoqërimi me Kur’anin Fisnik dhe kërkimi i shërimit me të. Kur’ani është ilaç për çdo sëmundje abstrakte e konkrete, siç thuhet në Kur’an:

﴿ وَنُنَزِّلُ مِنَ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ

“Ne të shpallim Kur’anin, që është shërim për besimtarët.” [Isra: 82]

Kur niveli i bindjes dhe i sinqeritetit është më i lartë, rritet edhe mundësia e shërimit, me lejen e Zotit. Allahu thotë: 

﴿ قُلْ هُوَ لِلَّذِينَ آمَنُوا هُدًى وَشِفَاءٌ

“Thuaj: “Ai është për besimtarët udhëzues e shërues.” [Fusilet: 44]

Ibën Kajimi ka shkruar në “Zad el Mead”, faqe 266: “Kur’ani është shërim i plotë prej të gjitha sëmundjeve të zemrës e të trupit, prej sëmundjeve të dynjasë dhe të ahiretit. Jo çdo njeri ka sukses në shërimin me Kur’an. Kur i sëmuri e përdor mirë këtë ilaç në sëmundjen e tij me sinqeritet e besim, duke e pranuar me bindje të prerë dhe plotësim të kushteve në të njëjtën kohë, nuk mund t’i rezistojë asnjë sëmundje.” 

Kur’ani në tërësi është shërim, por disa kaptina dhe ajete janë më të forta dhe më shëruese se kaptinat dhe ajetet e tjera, si kaptina Fatiha, kaptina Felek, Nas, ajeti i Kursisë. 

Ibën Kajimi në “El-Xhevab el Kafij”, faqe 9, ka thënë: “Sikur njeriu të mjekohej me Fatiha, do të shihte ndikim të çuditshëm në shërim. Kam qëndruar në Mekë i sëmurë për një kohë, gjatë së cilës kam pasur nevojë për ilaçe, por nuk kam gjetur as mjek as ilaçe. E kam mjekuar veten me Fatiha dhe kam parë se kishte ndikim të çuditshëm. Ua kam propozuar njerëzve që ankoheshin nga dhembjet dhe shumica prej tyre janë shëruar shpejt.” 

  1. Falja e pesë kohëve të namazit në kohën e vet, sidomos namazi i sabahut në kohën e vet me xhemat. Pejgamberi ﷺ, siç shënon Muslimi, ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut, ai është nën mbrojtjen e Allahut”. Në një transmetim tjetër (Sahihu Tergib, Albanij, nr. 461) ka thënë: Kush e fal sabahun me xhemat, ai është nën mbrojtjen e Allahut.”  

Kuptimi i fjalës “dhimmetullah”, “nën mbrojtjen e Allahut”, që ka ardhur në hadith, ka disa kuptime. Imam Neveviu thotë se ka kuptimin: garanci, siguri, ruajtje, ruajtje nga fatkeqësitë, gabimet dhe mëkatet.
Mubare el Furij thotë: “Në garancinë e Allahut, siguri në dynja dhe ahiret”.

  1. Duaja e veçantë e përmendur në Sunetin autentik. Kur njeriu sheh ndonjë të sëmurë apo të sprovuar, le të thotë: “Falënderimi i takon Allahut që na ka dhuruar shëndet në atë që të ka sprovuar dhe më ka nderuar nga shumë krijesat e Tij”.

Ky është udhëzimi madhështor profetik për atë që sheh ndonjë të sëmurë ose të sprovuar në fenë ose në jetën e tij. Ai duhet ta thotë këtë dua me bindje dhe besim për ndikimin e saj, se Allahu do ta shërojë! 

Vërejtje: Ndonjëherë hasim që njerëzit bëjnë shaka, tallen ose ushtrojnë bullizëm ndaj njerëzve të sëmurë apo me aftësi të kufizuara, por kjo nuk lejohet fetarisht, është e ndaluar dhe në kundërshtim me fenë tonë.  

  1. Leximi i kaptinave Ihlas, Felek, Nas. Këto sure, të cilat lexohen tri herë në mëngjes dhe mbrëmje, të mbrojnë nga çdo e keqe. Shënojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, ndërsa Albani e ka bërë të mirë hadithin, se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “KulhuvaAllahu ehad, muauidhetejn (Felek-Nas) kur të vijë nata dhe dita tri herë, të mjaftojnë për çdo gjë.” Taberiu thotë:  “Të mbrojnë nga çdo e keqe.”
  2. Leximi i lutjes profetike që thuhet tri herë në mëngjes dhe në mbrëmje. Kjo lutje është si vijon: Bismil-lahil-ledhi la jedurr-rru me’a-ismihi shej’un fil-erdi ve la fis-semai ve huves-semiul- alim.

“Me emrin e Allahut, pranë emrit të të Cilit nuk bën dëm asgjë në tokë e as në qiell, Ai që dëgjon shumë dhe di çdo send.”

E kanë shënuar Tirmidhiu (5/465) dhe Ebu Davudi (4/323), kurse Ibën Bazi në “TuhfetulAhjar”, faqe 39, senedin e këtij hadithi e ka bërë të mirë (hasen).

Tirmidhiu ka shkruar në sunenin e tij se “Kush e thotë këtë lutje në mëngjes dhe mbrëmje çdo ditë, nuk i bën dëm asgjë”.

Kurtubiu thotë: “Ky është lajm i vërtetë, argument praktik. Unë nga koha që e kam dëgjuar, kam punuar me të dhe nuk më ka goditur asgjë, përveç atij rasti që e kam lënë dhe më ka pickuar një akrep në Medinë natën. Kisha harruar ta thosha këtë lutje.” 

  1. Prej mburojave profetike që ka shënuar Ebu Davudi në sunenin e tij, të cilën e ka saktësuar Albani, është se Profeti Muhamed ﷺ ka thënë: “Zot, kërkoj mbrojtjen Tënde nga lebra, çmenduria dhe nga çdo sëmundje e keqe!” 

“Sëmundje e keqe” është çdo sëmundje e ligë, e rrezikshme, që ka ndikim të keq për të sëmurin dhe për afërmit, siç është kanceri apo sëmundja Covid-19, që është përhapur muajt e fundit.

  1. Prej mburojave preventive të rëndësishme është ajo që ka shënuar Ibën Sunij dhe saktësuar Shuajb Arnauti, se Profeti Muhamed ﷺ ka thënë: “Kush thotë çdo ditë në mëngjes dhe mbrëmje shtatë herë: 

حَسْبِيَ اللَّهُ لاَ إِلَهَ إِلاَّ هُوَ عَلَيهِ تَوَكَّلتُ وَهُوَ رَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ

HasbijAllahu la ilahe il-la hu, Alejhi tevekkeltu ve Huve Rabbul- arshil-adhim.  

“Më mjafton Allahu; s’ka të adhuruar tjetër përveç Tij. Tek Ai jam mbështetur dhe Ai është Zoti i Arshit të madh”, Allahu do t’i mjaftojë që t’ia largojë brengat e dynjasë dhe të ahiretit”. E ka shënuar Ebu Davudi mevkuf (4/321). Zinxhirin e këtij hadithi e kanë bërë të vërtetë Shuajb dhe Abdulkadër Arnauti (Zadul- Me’ad, 2/376).

  1. Prej mburojave preventive kur’anore të rëndësishme është edhe leximi i dy ajeteve të fundit të sures Bekare çdo mbrëmje. Ebu Davudi ka shënuar nga Ibën Mesudi, i cili transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush i lexon dy ajetet e fundit të kaptinës Bekare në mbrëmje, i mjaftojnë.” 

Bedrudin Ajniu për kuptimin e fjalës “i mjaftojnë”, thotë: “Nga të ligat e asaj mbrëmjeje” apo “nga çdo e keqe”.

  1. Gjithashtu nga mburojat kur’anore preventive të rëndësishme është leximi i ajetit të Kursisë kur shkon për të fjetur. “Kur e lexon atë, do të kesh një roje nga Zoti dhe nuk të afrohet shejtani derisa të zgjohesh”. E ka shënuar Buhariu në tregimin e Ebu Hurejrës me shejtanin, kur Profeti ﷺ e kishte autorizuar që të ruante zekatin e Ramazanit. 
  2. Prej mburojave të rëndësishme, të cilat lexohen nga tri herë në mbrëmje, është edhe duaja profetike:

أَعُوذُ بِكَلِمَاتِ اللَّهِ التَّامَّاتِ مِنْ شَرِّ مَا خَلَقَ

E’udhu bi kelimatil-lahit-tammati min sherri ma halaka.
Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut nga sherri (e keqja) që ka krijuar.” 

E kanë shënuar Ahmedi (2/290), Nesaiu në Ameluljevmi vellejleh, hadithi numër 590, etj..  

  1. Prej lutjeve profetike dhe mburojave të dobishme është ajo që ka shënuar Muslimi nga Abdullah bin Amri, se ai ka thënë: “Prej lutjeve profetike ka qenë: “O Allah! Unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga largimi i dhuntive të Tua, ndryshimi i gjendjes shëndetësore, dënimi Yt i papritur dhe nga gjithë hidhërimi Yt!” 

Kurtubiu thotë: “Ndryshohet gjendja nga shëndeti në sëmundje, nga paqja dhe siguria në bela”. 

  1. Prej duave që lexohen në mbrëmje është edhe lutja: 

اللَّهُمَّ عَافِنِي فِي بَدَنِي، اللَّهُمَّ عَافِنِي فِي سَمْعِي، اللَّهُمَّ عَافِنِي فِي بَصَرِي، لاَ إِلَهَ إِلاَّ أَنْت

 Allahume afini fi bedeni, Allahume afini fi semi, Allahume afini fi besari, la ilahe il-la ente.  

“O Zoti im, më jep shëndet në trupin tim! O Zot im, më jep shëndet në të dëgjuarin tim! O Zoti im, më jep shëndet në të parët tim! S’ka të adhuruar tjetër përveç Teje!” 

E kanë shënuar Ebu Davudi (4/324), Ahmedi (5/42) dhe Nesaiu në Amelul jevmi ve lejleh, nr. 22, Buhariu në librin e tij Edeb – el-Mufred, ndërsa Ibën Bazi në librin e tij Tufetul-Ahjar, fq. 26, zinxhirin e këtij hadithi e ka bërë të mirë (hasen). 

Kuptimi: “O Zoti im, më jep shëndet në trupin tim”, domethënë nga sëmundjet e këqija dhe viruset që e dobësojnë shëndetin për të bërë adhurim. 

  1. Prej mburojave të lehta me ndikim madhështor janë tespihet dhe istigfari, domethënë kërkimi i faljes. Kush vepron kështu në vazhdimësi, e ruan Allahu nga të këqijat, të ligat, sprovat e fatkeqësitë. Allahu thotë:

﴿ وَمَا كَانَ اللَّـهُ لِيُعَذِّبَهُمْ وَأَنتَ فِيهِمْ ۚ وَمَا كَانَ اللَّـهُ مُعَذِّبَهُمْ وَهُمْ يَسْتَغْفِرُونَ ﴾

Po Allahu nuk do t’i dënojë ata, derisa ti (Muhamed) je në mesin e tyre dhe Allahu nuk do t’i dënojë, derisa ata kërkojnë falje (istigfar).” [Enfalë: 33]

Allahu thotë për Junusin ﷺ:

﴿ فَلَوْلَا أَنَّهُ كَانَ مِنَ الْمُسَبِّحِينَ ﴾

E sikur të mos ishte ajo që ai kishte qenë prej atyre që shumë e përmendin Zotin. [Saffat: 143]

Taberiu thotë: “Ai e ka përmendur dhe kujtuar Zotin para sprovës, prandaj Allahu e ka përkujtuar në kohën e sprovës dhe e ka nxjerrë duke e shpëtuar.”

  1. Muslimi ka shënuar në sahihun e tij nga Havle bint Hakijm, se ka thënë: “Kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Kush hyn në një vendbanim e pastaj thotë: 

أَعُوذُ بِكَلِمَاتِ اللَّهِ التَّامَّاتِ مِنْ شَرِّ مَا خَلَقَ

E’udhu bi kelimatil-lahit-tammati min sherri ma halaka.
“Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut nga sherri (e keqja) që ka krijuar”, nuk i bën dëm asgjë përderisa të largohet nga ai vend.”
E kanë shënuar Ahmedi (2/290), Nesaiu në Ameluljevmi vellejleh, hadithi numër 590 etj..   

  1. Gjithashtu prej duave profetike mbrojtëse është edhe lutja e mëposhtme:

 

اللَّهُمَّ احْفَظْنِي مِنْ بَينِ يَدَيَّ، وَمِنْ خَلْفِي، وَعَنْ يَمِينِي، وَعَنْ شِمَالِي، وَمِنْ فَوْقِي، وَأَعُوذُ بِعَظَمَتِكَ أَنْ أُغْتَالَ مِنْ تَحْتِي

Allahumeahfedhni min bejni jedejje ve min halfi ve an jemini ve an shimali ve min fevki ve eudhu bike en ugtale min tahti. 

“O Zot, më ruaj nga para dhe prapa, në të djathtë, në të majtë dhe nga lart. Kërkoj nga Ti që të më mbrosh të mos më lëshojë toka!”
E kanë shënuar Ebu Davudi dhe Ibën Maxheh (shih Sahih ibën Maxheh, 2/332).

  1. Enes bin Maliku ka thënë: “I Dërguari i Zotit ﷺ ka thënë: “Bamirësi është i mbrojtur nga të këqijat, të ligat, fatkeqësitë. Bamirësit e dynjasë janë bamirësit e ahiretit.” 

Prej dobive të hadithit është se kush u bën mirë njerëzve, e mira do t’i kthehet në dynja dhe e ruan Zoti nga fatkeqësitë. 

 

Autor: Ejmen Shaban, solli për ju në gjuhën shqipe Rashit ZYLFIU

Fjalë kyçe - seria Virusi corona këshilla dhe mësime