Këshilla 20: KOHA ËSHTË VETË JETA
Allahu ﷻ thotë në Kur’an:
﴿ فَإِذَا فَرَغْتَ فَانصَبْ ﴾
“E kur ta kryesh (obligimin), atëbotë mundohu me adhurim (ndaj Allahut).” [Sherh: 7]
Koha është materia e jetës, kapitali i pasurisë së muslimanit në këtë jetë. Koha është më me vlerë se pasuria, më e shtrenjtë se çdo çmim. Për shkak të rëndësisë së saj Allahu është betuar për kohën. Buhariu shënon nga Pejgamberi ﷺ, se ka thënë: “Në dy gjëra janë të mashtruar shumica e njerëzve: shëndeti dhe koha e lirë”.
I mençur, syçelë është ai që çdo herë e shfrytëzon kohën e tij dhe kjo bëhet edhe më e rëndësishme në kohë krizash, sprovash, sepse ato e afrojnë njeriun te Zoti dhe nuk e humb kohën kot. Është thënë se “kush e shet të vlefshmen pa çmim, do ta blejë të lirën me çmimin më të shtrenjtë”.
Ibën Kajimi në “El-Fauaid”, faqe 31, ka thënë: “Humbja e kohës është më e rëndë se vdekja sepse humbja e kohës të ndan nga Zoti, ndërsa vdekja të ndan nga jeta e kësaj bote dhe banorët e saj.”
Komentatori i Kur’anit, Shinkiti, në “Edvau el Bejan”, vëllimi VIII, faqe 579, në lidhje me ajetin kur’anor:
“E kur ta kryesh (obligimin), atë botë mundohu me adhurim (ndaj Allahut)”, [Sherh: 7], thotë se “kjo është zgjidhje e problemit të kohës së lirë që i ka preokupuar njerëzit dhe që nuk ka lënë hapësirë për muslimanin që të ketë kohë të lirë. Muslimani ose është i angazhuar me punë për këtë botë ose me punë për botën tjetër”.
Abdullah bin Mesudi ka thënë: “Unë e urrej njeriun që e shoh duke qëndruar i paangazhuar në asgjë, qoftë nga punët e kësaj jete apo të botës tjetër”.
Të parët tanë na kanë dhënë modele konkrete se si i kanë shfrytëzuar krizat për të bërë vepra të mira.
- Serhasij ka shkruar librin e tij “El Mebsut” me pesëmbëdhjetë vëllime duke ua diktuar nxënësve të tij teksa ishte i burgosur.
- Ibën Ethiri ka shkruar librat “Xhami el Usul” dhe “En Nihaje fi Garibil el Hadith” kur ishte i paralizuar.
- Ibën Tejmije pjesën më të madhe të librit “Fetava” e shkroi kur ishte i burgosur.
Autor: Ejmen Shaban, solli për ju në gjuhën shqipe Rashit ZYLFIU
Fjalë kyçe - seria Virusi corona këshilla dhe mësime