10 perdet mes robit dhe Allahut

0
1205

Paramendo një person që nuk e ke parë prej shumë vitesh dhe pastaj e takon duke pasur një perde mes jush. Sigurisht që nuk përfitove gjë nga ai takim sepse ekzistonte një pengesë. E njëjta gjë vlen edhe njeriun që është larg rrugës së Allahut, sepse perdja i pamundëson të shohë dritën e vërtetë dhe rrugën e drejtë.

  • Pse Allahu ia mundësoi njeriut të mëkatojë?

Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, sjell disa arsye që njeriu të kuptojë:

-se Allahu është i plotfuqishëm

-mirësinë e Allahut kur ia mbulon gjynahun

-butësinë e Allahut kur robi mëkaton

-bujarinë e Allahut për t’ia pranuar arsyetimin.

 

  • 10 perdet mes robit dhe Allahut

Perdja e parë: Injoranca ndaj Allahut

Kush e njeh Allahun, e do Atë. Sa më shumë e njeh Allahun, aq më shumë e do.

Shuajbi a.s. ka thënë:

“Kërkoni falje Zotit tuaj dhe sinqerisht pendohuni tek Ai. Vërtet, Zoti është mëshirues, shumë i dashur.”[2]

Perdja më e trashë është padija për Allahun sepse njeriu është armik i asaj që nuk e njeh. Ata të cilët nuk e njohin Allahun mëkatojnë, e urrejnë dhe adhurojnë dikë përveç Tij.

Perdja e dytë: Risitë në fe

Kush bën risi në fe ka vënë perde mes vetes dhe Allahut derisa të largohet nga risitë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush shpik diçka në fe, ai nuk është prej nesh.”

Allahu thotë:

“tek Ai ngrihet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, e Ai i pranon.”[3]

Vepra e mirë për t’u ngritur tek Allahu ka dy kushte

  1. Sinqeriteti
  2. Pasimi i Sunetit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Pa këto dy kushte vepra nuk quhet e mirë, as ngrihet tek Allahu.

Pyetje: Pse bidati është perde mes robit dhe Allahut?

Përgjigje: Sepse pasuesi i bidatit është rob i epshit të vet.

Çdo njeri që mundohet ta adhurojë Allahun me bidat ka perde dhe dritën e së vërtetës nuk mund ta shohë derisa të largohet nga bidati i tij.

Perdja e tretë: Mëkatet e mëdha dhe të fshehta

Ato janë të shumta, si zilia, mendjemadhësia, vetëpëlqimi, syefaqësia etj..

Nëse njeriu bie në to, ato shndërrohen në perde që i pamundësojnë të jetë afër krijuesit të vet. Arsyeja qëndron në atë se rrugën drejt Allahut e kalojmë me zemra e jo me gjymtyrë. Në të njëjtën kohë këto bëhen edhe më të rrezikshme se ato mëkate që duken, siç është pija e alkoolit, vjedhja, imoraliteti etj.

 

Ibn Kajimi thotë: “Nefsi i njeriut mund të dominojë mbi punët e mira përderisa të shndërrohet në ushtri e nefsit. Nganjëherë ti mendon se nuk ka më të mirë, nuk ka më të devotshëm se ai njeri, por në realitet ai është larg Allahut.”

 

Perdja e katërt: Mëkatet e mëdha dhe të dukshme

Mëkat i madh quhet çdo mëkat që meriton mallkimin dhe hidhërimin e Allahut dhe të Pejgamberit të Tij dhe meriton dënimin në dynja e ahiret. Shirku, alkooli, vjedhja, kurvëria, ngrënia e pasurisë së jetimit pa të drejtë, shpifja ndaj grave të ndershme, magjia etj. Nuk quhet gjynah i vogël nëse është i vazhdueshëm sepse tani është bërë i madh.  Gjynahu i madh nuk shlyhet vetëm me istigfar, por duhet patjetër pendimi.

 

Perdja e pestë: Mëkatet e vogla

Në syrin e besimtarit mëkati i vogël çdo herë duhet të shihet si mëkat i madh.

 

Në jetë njeriu ballafaqohet me sfida të ndryshme. Ato kanë natyra dhe vështirësi të ndryshme, por sfida më e madhe e njeriut është ajo që e pengon të njohë, falënderojë dhe adhurojë krijuesin e vet.

Perdja e gjashtë: Shirku

Shirk është të lidhesh me dikë tjetër pos Allahut qoftë në adhurime apo vepra të brendshme të zemrës apo ato të jashtme.

Nuk ka diçka më të urryer për Allahun sesa shirku dhe vepruesit e tij. Shirku më i rrezikshëm është ai i fshehtë.  Prej duave profetike ishte dhe kjo: “O Zot, kërkoj mbrojtje që të të bëj Ty rivalitet në diçka që unë e di dhe kërkoj falje për atë që nuk e di”.

Zemra mund të lidhet me fëmijët, gruan, veturën, pasurinë dhe postet. Kur këtyre gjërave u jep përparësi para urdhrit të Zotit apo e thyen urdhrin e Zotit për shkak të tyre, kjo nënkupton se ti je lidhur me diçka pos Allahut.

Perdja e shtatë: Zgjerimi në gjëra luksoze

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-kem ka thënë: “Nuk ka mbushur i biri i Ademit diçka më të rrezikshme sesa barkun e tij.”

Kur stomaku mbushet, pushon të menduarit dhe paralizohen gjymtyrët për të vepruar në shërbim të asaj që i bën mirë njeriut.

Shembuj praktikë të luksit janë interneti, rrjetet sociale, bota e teknologjisë, ndejat e kota.

Perdja e tetë: Pakujdesia ndaj Allahut

Gafleti e mbizotëron zemrën kur ajo zbrazet nga dashuria e Allahut e më pas njeriu pason egon e vet, e kaplon djalli i mallkuar dhe e harron Allahun.

Allahu thotë:

“…dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar.”[1]

Gafletin e largon vetëm drita e zemrës.

 

 

Perdja e nëntë: Zakonet e këqija, veset e shëmtuara

Disa njerëz shndërrohen në robër të adeteve të këqija. Rruga e parë për të arritur tek Allahu është të zhvishesh nga adetet e këqija nga të cilat ke krijuar varësi, sepse njeriu është rob dhe robi nuk mund të jetë i dyfishtë apo i shumëfishtë. Në këtë botë ose do të jesh rob i Allahut ose rob i adetit apo dikujt tjetër.

Pra, arritja tek Allahu bëhet kur ti je i lirë, i zhveshur nga çdo robëri e kësaj bote.

Ibn Kajimi thotë: “Njeriu nuk mund të arrijë shkallën e ubudijes (adhurimit) kur ende është i lidhur diku tjetër.”

Drejt Zotit patjetër duhesh të udhëtosh vetë e jo të kapësh për dore dikë që të pengon në këtë rrugëtim, bëhet barrë dhe pengesë për ty.

Perdja e dhjetë: Vetëpëlqimi

Kjo është perdja e njerëzve të udhëzuar, të cilët e shohin punën e tyre si diçka shumë të madhe dhe kjo shndërrohet në një perde mes tij dhe Allahut për të bërë më shumë.

Kur njeriu vetëkënaqet me punën e tij, lind vetëpëlqimi dhe mendjemadhësia. Çdo herë kur rritet në zemrën tënde madhështia e Allahut zvogëlohet vetja dhe vepra jote.

Njeriu duhet ta kuptojë se çdo vepër që bën është nga mirësitë e Allahut sepse Allahu të shpërblen nga bujaria dhe fisnikëria e Tij.

Ibn Kajimi thotë: “Esenca e zhvillimit të këtyre dhjetë perdeve është nefsi, ana e errët, shejtani, dynjaja, egoja.

Njeriu nuk mund t’i largojë këto 10 perde gjersa ekziston esenca e tyre. Egoja e pengon veprën të vijë deri tek zemra, por nëse e lufton dhe del fitimtar, arrin që vepra të arrijë në zemër. Dhe kur arrin vepra në zemër, bëhet kjo lidhje dhe nuk ka dyshim se arrin edhe tek Allahu.

Kështu largohen këto perde dhe pengesa mes robit dhe Allahut duke i mundësuar që ta shohë dritën e imanit, duke iu ndriçuar rruga e Islamit. Dhe kur Allahu sheh përpjekjen e robit të Vet për t’u kthyer tek Ai, ia shton imanin, bindjen dhe devotshmërinë.

Allahu thotë:

 

“Ata që janë në rrugë të drejtë edhe më tej do t’i udhëzojë dhe do t’i pajisë me devotshmëri.” [2]

Sa herë që njeriu udhëzohet, Allahu ia shton udhëzimin dhe devotshmërinë.

Luftoje shejtanin duke kërkuar mbrojtje tek Allahu.

Luftoje egon duke e kundërshtuar atë.

Luftoje anën e errët me forcën e sinqeritetit.

Luftoje dynjanë me asketizëm.

                                                                                                 

[1] Kur’an, Kehf: 28.

[2] Kur’an, Muhamed: 17.

[1] Ligjëratë e datës 13/02/2015.

[2] Kur’an, Hud: 90.

[3] Kur’an, Fatir: 10.