Pse nuk pendohemi?!

0
932

Pse nuk pendohemi?!

(Pengesat në rrugën e pendimit)

Allahu në librin fisnik, Kur’anin, na thotë:

  “Allahu me të vërtetë i do ata që pendohen dhe i do ata që pastrohen.”[2]

Pastërtia konkrete ose e jashtme nuk mund të arrihet nëse ekzistojnë pengesa, pra nëse nuk ka ujë. E njëjta vlen edhe për pastërtinë abstrakte, atë të brendshme, pasi njeriu nuk mund të pastrohet nga gabimet e gjynahet nëse ekzistojnë pengesa. Prezenca e këtyre pengesave njeriun e paralizon dhe e bën të paaftë dhe për të arritur privilegjin për të qenë nga ata që Allahu i do.

Allahu është i bukur dhe do vetëm të bukurën. Ai pranon vetëm të bukurën dhe të mirën.

  • Pengesat në rrugën e pendimit

Pengesa e parë: Lidhja e zemrës me mëkatin

Kur zemra lidhet me mëkatin, kjo bëhet pengesë për t’u pastruar dhe liruar nga ai mëkat. Njeriu mund të falet, të agjërojë, të ndihmojë njerëzit, të vijë në xhami, por zemra e tij është e lidhur diku tjetër.

Pengesa e dytë: Konsiderimi i pendimit diçka të rëndë

Kjo është cytje e djallit dhe kurth i përgatitur nga ai për ty. Nefsi i njeriut çdoherë shpie drejt së keqes.

Pengesa e tretë: Arsyet dhe kërkimi i justifikimit për veten si dhe zbukurimi nga shejtani

Pengesa më e rrezikshme në rrugën e pendimit është zbukurimi i shejtanit.

E vallë, a është ai që i janë zbukuruar veprat e tij të këqija dhe i duken ato të mira.”[3]

Pengesa e katërt: Mashtrimi pas mbulimit të mëkatit

Kur njeriu e bën një të keqe, Allahu ia mbulon kurse ai shkon dhe e bën prapë duke u munduar që çdoherë t’i mbulojë gjurmët e mëkatit të tij dhe kjo mund të vazhdojë derisa ai një ditë mendon se moszbulimi është falë aftësive dhe shkathtësive të tij.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse sheh që Allahu i jep dikujt dynjanë me gjithë gjynahet e tij nuk është shenjë që e do, por e lë që të përshkallëzohet.”

Kjo është  e ngjashme me shembullin e punëtorit që vjedh pronarin e tij. Pronari në fillim nuk e ndal dhe e lë të shikojë se mos e përsërit herën e dytë apo jo. Punëtori, duke menduar se pronari nuk është duke e vërejtur një gjë të tillë, e përsërit gabimin derisa kapet një ditë.

Pengesa e pestë: Lidhja e mëkatit me të drejtat njerëzore

Nëse njeriu ka gabuar ndaj dikujt, frikësohet se pendimi kërkon që ai t’i kërkojë falje personit ndaj të cilit ka gabuar dhe nga frika se mos të zbulohet qëndron nën ankthin e gjynahut dhe në pamundësi për t’u penduar tek Allahu.

Pengesa e gjashtë: Frika nga sprovat pas pendimit

Allahu thotë:

 “Mendojnë njerëzit se do të lihen (të qetë) nëse thonë: “Na kemi besuar! E që ata nuk do të vihen në sprovë?”[4]

Dhe:

 

Ka njerëz që adhurojnë Allahun formalisht: nëse u del mirë janë të kënaqur me të, po nëse i godet ndonjë sprovë, ngrihen kundër Tij dhe ashtu e humb këtë dhe atë botë. E kjo, vërtet është humbje flagrante.”[5]

Imam Shafiu thotë: “Nuk ka stabilitet derisa njeriu të sprovohet.”

Pengesa e shtatë: Vështirësia që gjen i penduari në fillim të rrugës së tij

Çdo njeri që bën ndryshime në jetën e tij nuk ka dyshim se has në vështirësi të ndryshme. Edhe ai person që ka filluar rrugëtimin drejt pendimit duhet patjetër ta shijojë këtë vështirësi, e cila shumë shpejt kalon.

Ai ndien në veten e vet një zbrazëtirë dhe kjo është shumë e natyrshme sepse ai ka lënë gjërat që i ka dashur në jetë. Mëkati ka qenë i dashur për të, ndaj tani ai ndien se nuk e ka më. Ndoshta ka momente kur ai përmallohet për atë mëkat dhe ndien shtrëngim dhe mërzi në veten e tij.

Shumica e njerëzve që pendohen e më pas e prishin këtë besë që ia kanë dhënë Allahut dhe u kthehen gjynaheve të tyre veprojnë kështu për shkak të kësaj dhembjeje që ndiejnë fillimisht.

  • Shtrohet pyetja: Pse njeriu përballet me këtë vështirësi kur tashmë u pendua?

Kjo vështirësi është shenjë e gjallërisë së zemrës tënde dhe forcës për t’u ballafaquar.

Dije se djalli është vjedhësi i imanit tonë.

Aq sa është e lartë forca për ta përballuar dhe refuzuar këtë vështirësi, po aq i fortë do të jetë edhe fryti që do të lindë nga bindja se ti duhesh të ndryshosh.

Stabiliteti dhe vendosmëria sjellin qetësinë shpirtërore.

Ky është ligji i Allahut në këtë kozmos, se ndryshimi nuk vjen lehtë.

O ti që kërkon pendimin!

Nëse duron pak kjo vështirësi dhe dhembje do të kalojë dhe ti do të jesh fitimtari sepse po e kërkon rrugën e Zotit tënd, e do ndryshimin dhe nuk ka dyshim se ndihma  e Allahut do të vijë. E nëse kthehesh në gjendjen që ishe dhe nuk duron këtë dhembje të përkohshme, ke humbur dynjanë dhe ahiretin.

 

Autor: Rashit Zylfiu

Seria: Pse pendimi?

[1] Ligjëratë e dates 13/03/2015.

[2] Kur’an, Bekare: 222.

[3] Kur’an, Fatir: 8.

[4] Kur’an, Ankebut: 2.

[5] Kur’an, Haxh: 11.