DOBITË E PËRGJITHSHME TË AGJËRIMIT

0
1109

 

Prej dobive të përgjithshme të agjërimit janë:

  1. Shpërblimi i agjërimit pa kufij.
  2. Gëzohet agjëruesi kur vjen iftari dhe kur takohet me Zotin e tij.
  3. Era e gojës së agjëruesit është më e këndshme sesa aroma e miskut (parfumit). Këtë e vërteton hadithi të cilin e transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të. Allahu aze ue xhel ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, e mira me dhjetë sevape deri në shtatëqind.

Allahu i Lartësuar gjithashtu thotë: “Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë e shpërblej për të; e lë (njeriu) epshin dhe ushqimin e pijen e tij për Mua. Për agjëruesin janë dy gëzime: kur të bëjë iftar, gëzohet për iftarin e tij dhe kur të takohet me Zotin, gëzohet për agjërimin e tij. Era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu sesa aroma e miskut (parfumit).” (Buhariu, Muslimi)
Transmetimi i Imam Muslimit tregon për shpërblimin e agjërimit pa kufij. “Çdo vepër e birit të Ademit shumëfishohet, e mira me dhjetë të mira (sevape) e deri në shtatëqind shumëfishime.”

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë e shpërblej për të, e lë (njeriu) epshin dhe ushqimin për mua.

  1. Për agjëruesit është një derë në xhenet, në të cilën nuk hyn askush përveç tyre.

Transmeton Sehl ibn Sa’di, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Pejgamberi salallahu alejhi ue selem se ka thënë: ”Me të vërtetë në xhenet është një derë, i thuhet Rejan, hyjnë nga ajo agjëruesit Ditën e Kiametit, nuk hyn në të askush përveç tyre. Sapo të hyjnë, mbyllet (dera) dhe nuk hyn në të më askush.” (Buhariu, Muslimi)

Në transmetimin e Termidhiut: “Dhe kush hyn në të (derën Rejan), nuk do të ketë etje kurrë.”

  1. Agjërimi është mburojë prej zjarrit të xhehenemit.

Dijetari Salih el Fevzan ka thënë: “Prej dobive të agjërimit është se e pastron pronarin prej mëkateve, e ruan nga epshet e dëmshme dhe nga dënimi i zjarrit. Ka ardhur në transmetime të sakta se agjërimi është “xhune”, që do të thotë mburojë (perde) nga këto rreziqe.”

  1. Agjërimi është derë prej dyerve të mirësive.

Transmeton Muadh bin Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem i ka thënë: “A dëshiron të të tregoj dyert e mirësive?” Thashë: “Po, i Dërguar i Allahut!” Tha: ”Agjërimi është mburojë (perde), sadakaja (lëmosha) i anulon mëkatet siç e shuan uji zjarrin.”

  1. Agjërimi ndërmjetëson për agjëruesin në Ditën e Gjykimit.

Abdullah bin Amëri, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, transmeton se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për njeriun Ditën e Gjykimit. Thotë agjërimi: “O Zoti im, e ka lënë ushqimin dhe epshin, më bëj që të ndërmjetësoj për të (agjëruesin).” Thotë Kurani: “O Zoti im, e ka lënë gjumin natën, më bëj që të ndërmjetësoj për të (lexuesin e Kuranit).” Ka thënë: “Ndërmjetësoni (ju të dy) për të (njeriun).”

  1. Agjërimi nuk krahasohet me asgjë.

Kumtohet nga Ebu Umamja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Erdha tek i Dërguari salallahu alejhi ue selem dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, më trego një vepër që më bën dobi tek Allahu i Lartësuar: ”Agjëro, se agjërimi nuk krahasohet me asgjë.”

  1. Agjërimi është derë që të çon drejt devotshmërisë.

Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim siç ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Suretu el Bekare:183)

  1. Sa më shumë ta shtojë njeriu agjërimin, aq më shumë e largon Allahu zjarrin e xhehenemit prej tij.

Transmetohet nga Ebu Seidi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka njeri që agjëron një ditë për hir të Allahut e që të mos ia largojë Allahu i Lartësuar fytyrën nga zjarri i xhehenemit për shtatëdhjetë vite.” (Buhariu, Muslimi)

Kjo është për ata që agjërojnë një ditë, por si është puna e atij që agjëron një ditë po e një ditë jo, çdo të hënë dhe të enjte ose tri ditë në çdo muaj?!

O ju robër të Allahut!

Me të vërtetë ky muaj është rast që nuk zëvendësohet; punoni për të, Allahu ju mëshiroftë, duke bërë vepra të mira. Bëni përpjekje në ibadete, shfrytëzoni kohën, e cila ju afron tek Zoti juaj, me namaz, agjërim, sadaka, lexim të Kuranit, përmendje (dhikër), dua, urdhëroni për të mirë e ndaloni nga e keqja.

Kini kujdes, Allahu ju mëshiroftë, nga gjithë ajo që e hidhëron Allahun aze ue xhel, mos e prishni agjërimin tuaj me vepra që janë në kundërshtim me fenë e Allahut, se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që nuk i shmanget gënjeshtrës dhe punës me të dhe amoralitetit, Allahu nuk ka nevojë që ai (njeriu) ta lërë ushqimin dhe pijen.” Ka humbur ai i cili ka dalë nga ky muaj duarbosh. Përkujtoni, Allahu ju mëshiroftë, ata të cilët kanë agjëruar me ne vitin e kaluar, por nuk u është mundësuar të agjërojnë këtë vit ose për shkak se janë shndërruar në trupa të palëvizshëm në varre ose sepse janë goditur nga sëmundje prej të cilave nuk mund të agjërojnë. Ata shpresojnë të agjërojnë me ne qoftë edhe vetëm një ditë.

Përkujtoni këto momente dhe dijeni se vdekja vjen papritmas; ajo merr foshnjat, fëmijët e rritur dhe plakun, prandaj mos t’ju mashtrojë shëndeti dhe forca rinore.
Një poet thotë:

Sa prej të shëndoshëve pa ndonjë sëmundje vdiqën, E sa prej të sëmurëve kohë të gjata jetuan.                                                                  

 E lus Allahun e Madhëruar që të na bëjë prej të shpëtuarve në këtë muaj të begatshëm![1]

 

[1]  Përgatiti: Daru elVatan.

Përktheu: Rashit ZYLFIU.