Dispozitat e agjërimit

0
970
  • Kuptimi i agjërimit

Në aspektin gjuhësor imsak do të thotë përmbajtje, kurse në aspektin terminologjik të adhuruarit e Allahut duke privuar veten nga ushqimi dhe pijet nga agimi deri në perëndimin e diellit.

 

  • Obligueshmëria e agjërimit

Agjërimi është obligim për muslimanët me Kur’an, Sunet dhe konsensus të umetit.

Allahu thotë:

“O ju që besuat, agjërimi (saum) u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”[1]

Pejgamberi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla… agjërimi i Ramazanit[2].”

Shtyllat e agjërimit janë: musliman, i rritur në moshë, i mençur, i aftë për agjërim.

Nijeti për agjërimin

Nijeti për agjërimin obligativ duhet të jetë para agimit. Nëse bëhet pas agimit, agjërimi nuk vlen. Kjo mbështetet në hadithin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, të cilin e transmeton Ibn Omeri: “Nuk agjëron vetëm se ai që ka bërë nijet para agimit”. Për dallim nga agjërimi vullnetar, ku mund të bëhet nijeti edhe pas agimit[3].

 

  • A mjafton që në Ramazan të bëhet një herë nijeti apo duhet të bëhet çdo natë?

Nijeti në fillim të Ramazanit mjafton për gjithë Ramazanin, përveç arsyeve kur agjëruesi e ka ndërprerë agjërimin dhe nëse vazhdon, i duhet nijeti rishtazi për ta vazhduar agjërimin.

  • A mund të bazohemi që iftarin ta bëjmë me disa ezane që transmetohen përmes televizioneve apo radiove?

Nëse këto televizione apo radio janë të besueshme, atëherë lejohet që të bazohemi në to.

 

  • Me çfarë hyn muaji i Ramazanit?
  1. Me plotësimin e muajit Shaban 30 ditë.
  2. Me shikimin e hënës së muajit Ramazan.

 

  • Kush lirohet nga agjërimi?

Janë disa kategori që lejohen të mos agjërojnë, që u lejohet të mos mbajnë agjërim.

  1. I sëmuri që agjërimi ia dëmton shëndetin.
  2. Udhëtari.
  3. Gratë në periudhën e ciklit menstrual dhe periudhën e lehonisë.
  4. Gratë shtatzëna dhe gjidhënësja.
  5. Pleqtë dhe të sëmurët që nuk kanë shpresa për shërim.

Për të gjitha pikat e lartpërmendura ka argument nga Kur’ani dhe Suneti profetik.

 

  • Mënyra e shpagimit për ata që nuk mund të agjërojnë?
  1. Të përgatisë ushqim për të varfrit.
  2. Të shpërndajë ushqimin qoftë i përgatitur apo jo.

 

  • Syfyri

Të ngrënët syfyr në pjesën e fundit të natë është e pëlqyeshme. Pejgamberi, paqja dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Hani syfyr sepse në të ka begati.”

  • Si është sunet të bëjmë iftar?

Në iftar është sunet të fillojmë me hurma ose me ujë, nëse nuk kemi hurma.

  • Gjërat që e prishin agjërimin janë:
  1. Pija dhe ushqimi me qëllim, jo me harresë.
  2. Çdo gjë që e zëvendëson ushqimin dhe pijen, si injeksionet ushqyese.
  3. Marrëdhëniet intime.
  4. Cikli menstrual dhe lehonia.
  5. Vjellja me qëllim, edhe nëse është sasi e vogël
  6. Pastrimi i veshkave (dializat).
  7. Injeksionet ushqyese.
  8. Marrja dhe dhënia e gjakut.
  9. Dezertimi nga feja (ridetu).

Nga gjërat e lartpërmendura që e prishin agjërimin besimtari duhet t’i kompensojë me agjërim ditët e lëshuara (mjafton vetëm kompensimi), përveç rastit të marrëdhënieve intime, pasi pason shpagimi (kefareti) duke liruar një rob ose duke agjëruar 60 ditë pandërprerë ose duke ushqyer 60 të varfër. Nuk mund të kalosh nga një hap në tjetrin vetëm në atë rast kur nuk ke mundësi.

  • Këshilla për agjërimin
  1. Ngritja në syfyr dhe vonimi i tij.
  2. Shpejtimi i iftarit.
  3. Bërja dua para iftarit dhe gjatë agjërimit.
  4. Largimi nga fjalët e panevojshme.
  5. Bujaria dhe kalimi i kohës duke lexuar Kur’an.
  6. Mësimi i fëmijëve me agjërim.
  7. Bërja e iftarit me hurma.
  8. Falja e namazit të teravive.
  9. Itikafi në dhjetë netët e fundit të Ramazanit.
  10. Bërja e umres në Ramazan.

 

[1] Kur’an, Bekare: 183.

[2] Shënon Buhariu.

[3] Shënojnë Maliku dhe Nesaiu.