Kategoritë e njerzëve në Ramazan

0
511

Kategoritë e njerzëve në Ramazan[1]

Ebi Vakid el-Lejthi thotë: “Gjersa i Dërguari i Allahut ishte ulur në xhami dhe njerëzit përreth tij, erdhën tre persona. Dy u afruan afër Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe njëri shkoi. Njëri prej tyre pa një zbrazësi në mexhlis dhe u ul, tjetri u ul mbrapa tyre, ndërsa i fundit ua ktheu shpinën dhe shkoi. Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e përfundoi mexhlisin, tha: “A doni t’ju tregoj për këta tre persona? Njëri nga ata u afrua tek Allahu (e meritoi shpërblimin e Allahut), tjetrit i erdh turp dhe u turpërua Allahu nga ai (Allahu e mëshiroi), ndërsa i fundit ktheu shpinën, la mexhlisin, Allahu e la atë (Allahu u hidhërua me të).”[2]

Në këtë hadith Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i ndan njerëzit në tre grupe në raport me vendet ku merret dituria.

  1. I interesuar dhe që bën përpjekje për të arritur tek pika më e afërt pranë Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i cili përfaqëson diturinë në këtë rast.
  2. Atij që i vjen turp nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe nga muslimanët.
  3. Ai i cili ua kthen shpinën vendeve ku merret dituria, vendeve ku përmendet Allahu. Kujdesi dhe mëshira e Allahut nuk është mbi të ashtu siç ai nuk tregoi interes për veten e tij.

Nëse Ramazani është mësim nga mësimet e fesë, një medrese ku besimtarët përfitojnë, njerëzit karshi tij ndahen në tri kategori:

Kategoria e parë: Kategori që kthehen tek Allahu në Ramazan. Agjërojnë ditën dhe falen natën. Kryejnë obligimet dhe e ndalin veten nga ajo që Allahu ka ndaluar. Ia japin besën Allahut se do të pendohen, do të kërkojnë falje për gabimet e bëra dhe nuk do të kthehen më në to.

Kategoria e dytë: Ramazani ndikon që t’u vijë turp nga Allahu dhe nga njerëzit. Kjo kategori agjëron, por nuk është këmbëngulëse që të pendohet dhe të kthehet tek Allahu. Janë të luhatur mes pendimit dhe vazhdimësisë në jetën që kanë bërë para Ramazanit.

“Ndërkaq, disa të tjerë i pranojnë gjynahet e veta, se i kanë përzier veprat e mira me të këqijat. Ka gjasë që Allahu t’ua pranojë pendimin. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” [3]

Kjo kategori ka nevojë të jenë më të përqendruar dhe t’i kushtojnë rëndësi më shumë fesë së tyre që të bëhen si kategoria e parë.

Kategoria e tretë: Ramazani për këtë kategori nuk është interesant, ai vjen dhe shkon por tek ata nuk lë gjurmë për të lëvizur një hap para. Dëgjojnë ezanin, dëgjojnë fjalët e Allahut por gjithmonë ua kthejnë shpinën. Kjo kategori është e rrezikuar dhe më e rrezikshmja në shoqëri.

Këto janë tri kategori karshi Ramazanit dhe karshi çdo mësimi në këtë jetë.

Është pyetur Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij: “Si e pritnit ju Ramazanin në kohën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem?” Ai u përgjigj: “Vinte Ramazani dhe në zemrat tona nuk gjente urrejtje ndaj askujt.”

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: Rashitzylfiu.com

[1] Data:12/07/2013

[2] Shënon Buhariu

[3] Teube, 102