- Islami dhe edukimi i fëmijëve
Edukimi i fëmijëve gjithmonë ka paraqitur fushën në të cilën çdo individ ka dëshiruar të spikatet e të dëshmohet. Kështu që nga njeriu i parë e gjer më sot, për të gjithë baballarët dhe nënat, pa marrë parasysh nivelin e arsimimit, karakteristikë është përpjekja që pasardhësve të tyre të dashur t’u mësojnë të gjithë gjërat që konsiderojnë se do t’u duhen në jetë.
Ndonëse kjo dëshirë e kjo përpjekje është jashtëzakonisht e fuqishme, pa përjashtime, te çdo prind, vërejmë një dallim drastik në edukimin, kulturën dhe sjelljen e fëmijëve të familjeve të ndryshme.
Edukimi i fëmijëve është objektivi parësor në jetën tonë ngase ka një lidhje të madhe me interesin tonë, që kthehet tek prindi, fëmija dhe e tërë shoqëria, ngase e ardhmja e një shoqërie shikohet nga prizmi se si janë duke u edukuar gjeneratat e reja.
Islami e ka vendosur edukimin e fëmijëve në agjendën e vet si primare dhe i jep rëndësi shumë të madhe. Në krye të këtij projekti ishte vetë Pejgamberi Muhamed alejhi selam, edhe pse ishte Profet dhe burrë shteti. Atë nuk e pengoi kjo që të jetë një baba dhe edukator i gjeneratave për të cilat shkroi edhe historia.
Për këtë arsye, ne hasim në Kur’an, aty ku gjendet lumturia e kësaj bote dhe e botës tjetër, që Krijuesi përmend rrëfime edukative të dobishme, sikurse porosia e të urtit Lukman për të birin e tij[1]. Këto porosi Zoti ia zbriti Pejgamberit Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që të mbetet mësim për njerëzimin, se si dhe me çfarë duhet t’i edukojmë fëmijët.
- Agjenda e Islamit në edukimin e fëmijëve
Një ndër mekanizmat më të fortë që Islami përdor në edukimin e fëmijëve është ngarkimi i prindërve me përgjegjësinë që kanë karshi fëmijëve të tyre.
Këtë mekanizëm e përdor duke instaluar tek besimtari në shumicën e rasteve edhe kërcënimin, tërheqjen e vërejtjes me dënim, që shpeshherë e hasim në Islam. Kjo ndodh në rast se njeriu është i pakujdesshëm duke shprehur mosinteresim apo duke e anashkaluar detyrën e shenjtë karshi fëmijëve të tij.
Këtë mund ta vërejmë në citatin kur’anor, ku Krijuesi në të vetmin vend në Kur’an na urdhëron që ta ruajmë familjen dhe fëmijët. Metoda kryesore e ruajtjes së fëmijëve është edukimi.
“O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.”[2]
I Dërguari i Zoti thotë: “Njeriu është bari në shtëpinë e vet dhe është përgjegjës për anëtarët e familjes së vet…”[3]
Pas instalimit të përgjegjësisë duke shpalosur edhe rëndësinë e saj, në edukimin e fëmijëve ndërmerren edhe hapat e nevojshëm praktikë gjatë rrugëtimit tonë edukues.
Disa hapa praktikë se si fillon edukimi i fëmijëve:
- Kujdesi gjatë zgjedhjes së bashkëshortes.
- Lutjet e vazhdueshme për të pasur fëmijë bujarë.
- Shmangia nga mallkimi i tyre.
- Emërtimi i fëmijëve me emra të bukur.
- Skalitja e besimit të drejtë në zemrat e tyre.
- Mbjellja e virtyteve të mira tek fëmijët.
- Mbjellja e urrejtjes ndaj veseve të këqija.
- Përdorimi i shprehjeve të mira me fëmijët.
- Formimi i shembujve e modeleve te fëmijët.
- Ndihma për të krijuar një personalitet qysh në fëmijëri.
- Shmangja nga sjelljet kontradiktore.
- Përmbushja e premtimeve.
- Mbajtja e fëmijëve larg pamjeve pornografike dhe erotike.
- Pastrimi i shtëpisë nga gjërat e ndyra dhe të rrezikshme.
- Ngritja e vetëdijes në mirëmbajtjen e pastërtisë në veten dhe ambientin ku jeton.
- Dhënia e mësimeve fetare e edukative qysh në fëmijëri.
- Edukimi për të qenë serioz dhe preciz në punët që u jepen.
- Motivimi për lexim.
- Stimulimi për të qenë të suksesshëm në shkollim.
- Zhvillimi i vetëbesimit te fëmija.
- Këshillimi me fëmijët.
- Bërja shprehi e përgjegjësisë.
- Bërja shprehi e angazhimit shoqëror.
- Mësimi i fëmijëve për të marrë vendime.
- Respektimi i fazave të zhvillimit të fëmijës.
- Përmirësimi momental i mangësive.
- Drejtësia ndaj fëmijëve.
- Ndarja e kohës për fëmijët.
- Dëgjimi kur ata flasin dhe nxitja për të folur.
- Mbikëqyrja e fëmijës “nga distanca”.
- Pritja dhe gostitja e shokëve apo shoqeve të fëmijëve.
- Moszmadhimi i gabimeve që bëjnë fëmijët.
- Bashkëpunimi i prindërve në edukimin e fëmijëve.
- Baza e edukimit është mirëkuptimi mes bashkëshortëve.
- Përzgjedhja e shkollës së përshtatshme.
- Zbulimi i talentit tek fëmija.
- Organizimi i shëtitjeve, kuizeve, garave me fëmijë.
- Prania e fëmijëve në takime serioze, takime familjare, universitet, xhami etj.
- Marrja parasysh e fazës së pubertetit dhe trajtimi i kësaj faze me kujdes të veçantë.
- Ndihma ndaj fëmijëve për t’i orientuar në studimet e tyre.
- Krijimi i një lidhshmërie shoqërore mes prindit dhe fëmijës.
- Këshillimi me ekspertë të edukimit të fëmijëve.
- Leximi i literaturës së dobishme për edukimin e fëmijëve.
Këta janë disa nga hapat që Islami na këshillon gjatë udhëtimit tonë në edukimin e fëmijëve, edhe pse ky udhëtim vazhdon dhe ne mbetemi gjithmonë prindër, me ndjenjën se fëmijët sado që të rriten, kanë nevojë për këshilla prindërore.
Islami i jep çdo prindi edhe një udhëzim dhe fanar tjetër që do t’i ndihmojë gjatë këtij udhëtimi të lodhshëm por në të njëjtën kohë të këndshëm. Ai është vetëdija për vlerën e edukimit dhe shpërblimin në të dyja botët. Kjo vetëdije i ndihmon prindërit që të jenë më të durueshëm e të qëndrueshëm në punën e tyre edukative. Kështu, çdo mund dhe përpjekje e prindërve sigurisht që do shpërblehet me shpërblimin e duhur.
- Fjalët e fundit për edukimin e fëmijëve
Thuhet se gjërat më të bukura janë më të thjeshtat. Kështu që detyra e të gjithëve ne që jemi të angazhuar në edukimin e fëmijëve është jashtëzakonisht e thjeshtë, nëse dimë ta bëjmë.
Jemi të detyruar të bëjmë atë që duhet bërë dhe t’i ruhemi asaj që nuk duhet bërë në edukimin e fëmijëve.
Islami është dhe do të jetë njëri ndër faktorët kryesorë që ndihmon në edukimin e fëmijëve, nëse ne dimë të përfitojmë nga agjenda që na ofron.
Rashit Zylfiu
Referencat e konsultuara
- Gabimet e rrezikshme në edukimin e fëmijëve, Muhamed Ibrahim Elhamed.
- Përgjegjësia në edukim, Muhamed Elhamed.
- Edukimi i fëmijëve në Islam, Nasir Ulvan.
- Si t’i edukojmë fëmijët, punim.
- islamgjakova.net
- femijetislam.com
[1] Shih Kur’anin Fisnik, sure Lukman.
[2] Kur’an, Tahrim: 6.
[3] Pjesë e hadithit profetik. Shënon Imam Buhariu, nr. 585.