Cilësitë e besimtarit në kohën e fitneve

0
1575

 

Cilësia e parë: largimi nga hidhërimi dhe ngutja

Kur njeriu hidhërohet, nuk mund t’ia qëllojë të vërtetës, prandaj Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk duhet të gjykojë gjykatësi kur është i hidhëruar.”[1]

Ibn Tejmije në komentimin e këtij hadithi ka thënë: “Gjykimi në hadith përfshin çështjet teorike dhe praktike. Hidhërimi është një gjendje e të shqetësuarit të mendjes, sipas së cilës njeriu reagon. Gjykatësit nuk i lejohet të japë vendime duke qenë në këtë gjendje. Kjo ndalesë bëhet edhe më e madhe në çështjet praktike mes dy palëve, ndërsa në situata të çështjeve madhore të umetit ndalesa rritet edhe më shumë.

Prej veçorive të metodologjisë së të parëve tanë dhe imamëve të drejtë është se nuk janë ngutur kur të tjerët janë ngutur në atë që nuk u takon. Omer Abdul Azizi duke përshkruar sahabët dhe tabiinët ka thënë: “Ecni pas gjurmëve të tyre sepse ata punonin me dituri dhe syçelësi.”

Cilësia e dytë: kujdesi në fetva dhe kalimi i tyre tek dijetarët

Sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta, i kalonin fetvatë te të tjerët edhe në çështje shumë të lehta. E si vepronin ata në çështjet madhore? A ishte prej metodës së tyre ngutja e dhënies së fetvasë dhe ngutja për të folur?

Ata nuk njiheshin me këto tipare sepse punonin me dituri dhe syçelësi. Syçelësia është ajo për të cilën Allahu i Madhëruar e urdhëroi Pejgamberin e Tij:

“Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras tek Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët.”[2]

Syçelësia dhe urtësia për zemrën janë sikurse të shikuarit për syrin.

Gjenerata e parë ishin syçelë në kohën e fitneve në vrasjen e Uthmanit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, dhe në kalifatin e Aliut dhe Muavijes, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Kjo syçelësi dhe urtësi nuk nënkupton se ata kanë qenë të dobët, por se kanë kërkuar paqen për atë ditë kur njerëzit do të takojnë Allahun xhele xhelale.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Mos i thoni asaj rrenës së gjuhëve tuaja: “Kjo është hallall e kjo është haram” e të shpifni ndaj Allahut rrenën. Vërtet, ata që shpifin rrenën ndaj Allahut, nuk kanë shpëtim.”[3]

Ky ajet tërheq vërejtjen nga të folurit se kjo është hallall e kjo është haram, ngase njeriu nuk mund të jetë i prerë se është në pëlqim me ligjin e Zotit në çështjet e mospajtimeve apo të ixhtihadit.

Metodologjia e selefit në këto çështje ka qenë të larguarit prej të thënët se kjo është hallall, me përjashtim të rastit kur u është qartësuar argumenti i sheriatit, as duke mos thënë se kjo është haram, vetëm se atëherë kur u qartësohej argumenti.

Allahu i Madhërishëm ka thënë:

“Thuaj: “Më thoni, atë që Allahu ju dha si ushqim (të lejuar), e ju nga ai diçka bëtë të ndaluar e diçka të lejuar?” Thuaj: “A ju lejoi Allahu ju, ose ju i shpifni Allahut?”

“Po çfarë është mendimi i atyre që i shpifin Allahut, për Ditën e Kiametit? Allahu është dhurues i madh ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk falënderojnë.”[4]

Dijetarët në komentimin e këtij ajeti kanë thënë: “Do mjaftonte ky ajet si një ndalesë kërcënuese  që të kalohen tek tjetri gjërat për të cilat pyetesh. Do të mjaftonte si motivues i obligueshmërisë për të marrë rezerva në dispozita dhe të mos thuash se kjo është e lejuar e kjo e ndaluar, përpos pas bindjes.

Kush nuk është i bindur në veten e tij le t’ia ketë frikën Allahut, le të heshtë ose do të jetë shpifës ndaj Allahut xhele xhelale.

Fjala e Allahut thotë:

“Thuaj: “Më thoni atë që Allahu ju dha si ushqim (të lejuar), e ju nga ai diçka bëtë të ndaluar e diçka të lejuar?” Thuaj: “A ju lejoi Allahu ju, ose ju i shpifni Allahut?”[5]

Ky ajet aludon për një ndëshkim të rëndë, prandaj besimtari duhet të ketë frikë që të mos japë fetva për të gjitha pyetjet e njerëzve.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem thotë: “Nëse dikujt i jepet fetva pa dituri, mëkati do t’i takojë atij që jep fetva.”[6]

Njeriu duhet të mos e vendosë fenë e tij në rrezik dhe t’i humbë sevapet për një mëkat që ndodh në umet.

 

 

Cilësia e tretë: butësia, durimi dhe mençuria  

Prej cilësive të sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, ishte të punuarit me atë që Allahu e do dhe është i kënaqur, si butësia, durimi dhe mençuria.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu e do butësinë në çdo gjë.”[7]

“Allahu është i kënaqur me tri gjëra: që ta adhuroni dhe mos t’i përshkruani ortak, të kapeni për litarin e Allahut të gjithë dhe mos të përçaheni dhe t’i këshilloni ata të cilët kanë marrë përgjegjësi ndaj jush.”[8]

“Aty ku gjendet butësia, ajo gjë është e stolisur dhe aty ku mungon butësia, ajo shëmtohet.”[9]

Dhe: “Kush privohet nga butësia është privuar nga mirësia.”[10]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem i tha Eshexh Abdulkajsit: “Te ti janë dy veçori: mençuria dhe butësia.”

Cilësia e katërt: uniteti i fjalës në kohën e fitneve

Kush e ka studiuar metodologjinë e ë parëve tanë në shekullin e parë, gjatë kohës së fitneve dhe mospajtimeve ka vënë re se ata urdhëronin për unitet dhe ndalonin nga përçarja.


Dijetarët kanë thënë se uniteti është dy lloje:

  • Uniteti në fe
  • Uniteti në raport me udhëheqësit.

Edhe përçarja është dy llojesh:

  • Përçarja në fe
  • Përçarja në xhemat.

Allahu i Madhërishëm thotë:

 “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e Allahut, e mos u përçani!”[11]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem kërkoi unitet dhe xhemat me fjalën e tij kur tha: “Ky umet do të përçahet në shtatëdhjetë e tre grupime, të gjithë do të jenë në zjarr përveç njërit.” I thanë: “Cila është ai, o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Është xhemati.”[12]

Dijetarët kanë thënë se fjala “xhemat” këtu ka për qëllim unitetin në fe dhe unitetin rreth atyre që kanë marrë përgjegjësitë nga radhët e besimtarëve.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Uniteti është mëshirë, ndërsa përçarja është dënim.”[13]

Është e qartë se metodologjia e imamëve ishte ruajtja e xhematit.

Kur u shfaq ideologjia se Kurani është i krijuar dhe njerëzit vrapuan për ta shpërndarë këtë ideologji, madje edhe prijësi i asaj kohe bëri thirrje në të, nxënësi i imam Ahmedit i tha imamit të Ehlu Sunetit dhe  xhematit: “A e sheh se në ç’gjendje janë njerëzit? A nuk po e thua atë që Allahu do ta ndryshojë këtë (ideologji)?”  Imam Ahmedi ndaloi nga një gjë e tillë duke lëvizur dorën dhe duke thënë: “Kini kujdes nga derdhja e gjakut, kini kujdes nga derdhja e gjakut!”

Ai ishte i vetëdijshëm se përçarja e fortë shkakton në fund përçarjen në trupa dhe sjell gjakderdhje.

Umeti islam duhet ta kuptojë mirë atë që ka sqaruar Kurani dhe Suneti, se pasuesit e librit janë përçarë dhe kanë luftuar kundër njëri-tjetrit jo për shkak të mungesës së diturisë, por për shkak të padrejtësisë dhe komenteve të shtrembra.

Allahu i Madhëruar thotë:

 “Po ata, vetëm pasi u erdhi e vërteta, nuk u përçanë për tjetër, por nga zilia mes tyre.”[14]

Dijetarët e shkencës së akides kanë përmendur se ajo që shkaktoi përçarjen dhe fitnet në këtë umet janë dy gjëra: padrejtësia dhe komentimi i shtrembër.

Nëse ndodh padrejtësia, mizoria që njerëzit të shtojnë më tepër se  ajo që Allahu ka lejuar, apo ndodh komentimi i shtrembër pa argument nga sheriati, do të vijë fitneja.

Allahu na ruajttë prej saj!

Cilësia e pestë: respektimi i dijetarëve dhe njoha e pozitës së tyre në fe

Dijetarët e fesë kanë pozitë të madhe në Kuran dhe Sunet, e cila patjetër duhet të respektohet.

Allahu i Madhëruar ka thënë:

 “… Allahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. Allahu është i njohur mirë me atë që punoni.”[15]

Allahu xhele xhelale i ka veçuar dijetarët nga të gjithë besimtarët kur thotë:

 “Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët.”[16]

Ngase ata kur flasin apo mësojnë dikë, si pikënisje kanë frikën.

Ne jemi të urdhëruar të ecim hapave të tyre dhe të kthehemi tek ata. Barra jote hiqet nëse ti i pyet dijetarët dhe ata të përgjigjen me atë që është në përputhje me objektivat e sheriatit.

Nuk është prej fesë fyerja e dijetarëve, as nënvlerësimi i pozitës së tyre, sepse kjo është shenjë e injorancës.

Ibn Tejmije dhe shumë dijetarë të tjerë kanë përmendur se sahabët nuk e preferonin luftën, por u gjendën duke u luftuar nga havarixhët.

Çdo imam, hatib dhe çdo nxënës i dijes duhet të marrë mësim nga ngjarjet e atyre që ishin para nesh dhe ta lexojë historinë me përqendrim të plotë.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Në tregimet e tyre (të Dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes.”[17]

Në tregimet e Pejgamberëve të hershëm dhe në historinë e popujve të zhdukur ka mësime.

Mësimi më i madh është që të shikohet mënyra e të luftuarit mes sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta.

Si ndodhi fitneja dhe kush ishte motivi i saj?

E gjithë kjo ndodhi nga komentimi i shtrembër nga ana e havarixhëve, jo sipas metodologjisë së sahabëve, duke sjellë fitnet varg njëra pas tjetrës, pa dashjen e tyre.

Cilësia e gjashtë: marrja mësim nga historia e popujve të kaluar

Kush e ka lexuar historinë do të gjejë se hapi i parë që kanë hedhur njerëzit që nuk e kanë të qartë çështjen është fyerja e dijetarëve dhe ngutja në këtë çështje. Kjo nuk çon në përfundim të mirë.

Kjo ndodhi me havarixhët në raport me dijetarët e sahabëve, por edhe në shumë trazira të tjera që ndodhën gjatë historisë.

Librat kanë përmendur edhe kategoritë e njerëzve që e lejojnë përdorimin e armës në umet, që do të thotë se lejojnë gjakun e dijetarëve. Hapi i parë që hedh kjo kategori është fyerja e dijetarëve, ngase dijetarët janë trupi kryesor nga kthehen muslimanët. Kjo bëhet si parandalim që njerëzit të mos u drejtohen atyre.

Në anën tjetër, nuk është e patjetërsueshme që çdokush që fyen dijetarët lejon edhe gjakderdhjen e muslimanëve, pasi ai këtë fyerje mund ta bëjë për shkak të komentimit të shtrembër apo mangësisë në dituri.

Cilësia e shtatë: mospërulja ndaj mediave mashtruese

Ngjarjet e sotme ndiqen nga të gjithë njerëzit. Ajo pres së cilës duhet të frikësohemi është se mos po kënaqemi me atë që po dëgjojmë, kur dihet se burimi i këtyre mediave është masoneria. Kjo gjë nuk i ndihmon ngjarjet që po ndodhin në umet, por ndihmon armiqtë e umetit.

Metodologjia e pasuesve të Sunetit dhe xhematit është e ndërtuar mbi Kuranin dhe Sunetin. Thirrja në këtë metodologji bëhet në këto dy burime dhe kthimi tek dijetarët dhe bartja e çështjeve në umet bazohet në fikh dhe syçelësi.

Cilësia e tetë: ruajtja e gjuhëve tona ndaj fyerjes së sahabëve

Prej besimit të pasuesve të Sunetit dhe xhematit është ruajtja e gjuhës në raport me sahabët e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue selem. Në zemrat tona nuk duhet ë ketë urrejtje ndaj atyre që besuan.

Allahu i Madhëruar thotë:

 “Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: “Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues!”[18]

عن أبي هريرة _رضي الله عنه_ قال : قال رسول الله -صلى الله عليه وسلم- ( لا تسبوا أصحابي لا تسبوا أصحابي فوالذي نفسي بيده لو أن أحدكم أنفق مثل أحد ذهبا ما أدرك مد أحدهم ولا نصيفه )

Përcillet nga Ebu Hurejra se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos i fyeni shokët e mi. Pasha Atë që shpirti im është në Dorë të Tij, sikur dikush nga ju të shpenzojë ar sa kodra e Uhudit, nuk do të mund të arrijë as sa një mud[19] apo as gjysmën e atij që shpenzuan sahabët.[20]

 

Imam Muhamed Berbehari thotë: “Kur të shikosh dikë që i fyen sahabët e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue selem dije se ai është pasues i pasioneve të tij, duke u bazuar në thënien e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue selem: “Kur të përmenden shokët e mi, përmbahuni.”[21]

Ai ka thënë: “Kini kujdes ndaj shokëve të mi. Mos flisni ndaj tyre vetëm se mirë.”[22] Mos flit për atë që ka ndodhur mes tyre, as për lajmet që të kanë ardhur e ti nuk ke dijeni për ta. Mos dëgjo dikë që flet për ta sepse zemra jote nuk mund t’i shpëtojë asaj që dëgjon.”

Allahu e mëshiroftë imam Berbeharin, i cili ka thënë: “Mos e përmend dikë nga nënat e besimtarëve përveçse për mirë.”[23]

Fundi

Lënia e gjërave që nuk të intereson është ndër objektivat e Islamit dhe njëri prej haditheve bazë thotë: “Lëre atë tek e cila dyshon për atë tek e cila nuk dyshon.”[24]

Ne duhet të pajisemi me devotshmërinë ndaj Allahut në të gjitha gjendjet, duhet të kemi kujdes në balancën dhe urtësinë në përputhje me sheriatin në të gjitha çështjet. Le ta largojmë barrën tonë duke u munduar të ecim hapave të selefit.

Mos u ndiko për shkak se nuk pajtohen shumica kur ka entuziazëm dhe eufori, por  thuaj atë që kanë thënë imamët dhe sahabët ngase në Kuran dhe Sunet dhe në rrugën e të parëve gjen shpëtim për zgjidhjen e fitneve.

Kërkojmë nga Allahu udhëzim.

 

Shkroi: Salih bin Abdul Aziz Al Shejh

Përshtati: Rashit Zylfiu

[1] Shënon Buhariu.

[2] Jusuf, 108.

[3] Nahl, 116.

[4] Junus, 59-60.

[5] Junus, 59.

[6] Shënon Ebu Daudi.

[7] Shënon Buhariu, Muslimi.

[8] Shënon Ahmedi.

[9] Shënon Muslimi.

[10] Shënon Muslimi.

[11] Alimran, 103.

[12] Shënon Ebu Daudi.

[13] Pjesë nga ky hadith, e ka shënuar imam  Ahmedi.

[14] Shura, 14.

[15] Muxhadeleh, 11.

[16] Fatir, 28.

[17] Jusuf, 111.

[18] Hashër, 10.

[18]Mud është sasi matëse që është përdorur në kohën e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue selem. Ajo është e barabartë me një palë grushte të një burri mesatar.

20 Shënon Buhariu.

21 “Muxhma zevaid”.

[22] Shënon Ibn Asakiri.

[23] “Tabakat Hanabila”.

[24] Shënon Termidhiu.