PER TY, O NEFSI IM ! -(For you, o my nafs!)

0
906

Për ty, o nefsi im!
Ambiciet e mia sapo filluan të rriten, ëndrrat dhe dëshirat e mëdha nisën dalëngadalë të më ngacmojnë. Fillova të mendoja se kjo botë më përket vetëm mua. Atëherë e kuptova se ti brenda meje vazhdimisht po më pëshpëritje.

Për ty!
Për ty e jo për dikë tjetër. Nëse me ty nuk jam i sinqertë, atëherë me të tjerët sinqeriteti nuk do të më mjaftojë, e as fitreja-njerëzorja ime nuk do të më bëjë fare dobi.
Për ty që banon në brendësinë time pa më pyetur paraprakisht mua e që pastaj u bëre sekret i jetës sime.
Ty, unë nuk të shoh, nuk të dëgjoj, por të ndiej pothuajse në çdo tiktak të zemrës dhe në çdo lëvizje të jetës sime. Për ty që më shpie kah lumturia, hareja, vuajtja, mërzia, hidhërimi, mundimi, të qeshurit e të qarët.
Për ty po i shkruaj këto rreshta.
Jeta ime ka vetëm një mundësi e nëse të lë e të braktis, atëherë unë do të jem humbësi më i madh.
Egoja ime, unë e di që ti vrapon pas kënaqësisë, rehatisë, pushimit, pasurisë, pushtetit, por nuk e di nëse rruga që ke zgjedhur është pikërisht ajo e qëlluara dhe e lejuara. Frikësohem se mos unë ngelem humbës së bashku me ty.
Për ty i shkrova këto radhë, që të jenë dëshmi, mësim, këshillë dhe mesazh për ty.
Të mbetem borxh nëse nuk të tregoj rrugën e duhur, rrugën e lumturisë dhe harmonisë në jetën e të dy botëve.
Ego, ti ke dy rrugë për të zgjedhur. Ose zgjidh çiltërsinë, pastërtinë e dinjitetin, ngase “ka shpëtuar ai që e ka pastruar atë (nefsin e tij).” (Kur’an: 87:14), kështu që ti do të jesh fitues së bashku me mua.
Ose do të zgjedhësh të dytën, sepse vërtetë“ ka humbur ai që e ka fëlliqur atë (nefsin e tij).” (Kur’an: 91:10), e do të jesh humbës së bashku me mua.
Egoja ime, të lutem rri e pastër e mos e poshtëro veten.
Rri larg asaj që e hidhëron Zotin tënd, rri larg mosbesimit e shirkut dhe mos i bëj rival Zotit.
Larg asaj që më së shumti të mashtron, lakmisë!
Larg asaj që më së shumti të tradhton, gënjeshtrës!
Larg asaj që më së shumti të shkatërron, epshit!
Larg asaj që më së shumti të zhgënjen, pesimizmit!
Larg asaj që më së shumti të mërzit, djallit!
Larg asaj që i bën të tjerët të ikin nga ti, mendjemadhësisë!
Egoja ime, mos ia kthe shpinën udhëzimit hyjnor sepse do të kesh pasoja.
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë.” (Kur’an: 20:124)
E nëse rri e dëlirë dhe e panjollosur, një ditë do të dëgjosh zërin e Zotit tënd duke të të ftuar:“O shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt i kënaqur sepse edhe Ai është i kënaqur me ty.” (Kur’an: 89: 27-28)
Zoti im! Dhuroji egos sime devotshmëri dhe pastroje atë sepse Ti je mbikëqyrësi më i mirë!