Devotshmëria në Ramazan

0
719

Falënderimet i takojnë Allahut. Paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Pejgamberin Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë besimtarët që ecin hapave të tij deri në Ditën e Gjykimit.

Premtimi më i madh që Allahu u ka dhënë besimtarëve, kur dihet se Allahu nuk e thyen premtimin e Tij, është takimi me Të. Por a do të kenë mundësi ta takojnë dhe ta shohin Allahun të gjithë njerëzit? A ka diçka me të cilën duhet të stolisemi në jetën e kësaj bote për atë ditë të premtuar?

Kur Allahu i Lartmadhëruar ua dha njerëzve këtë premtim të madh, Ai ua dha mundësitë dhe ua lehtësoi rrugët si të arrijnë që në jetën e kësaj bote të përgatiten për ditën e premtuar dhe për t’u stolisur me petkun e devotshmërisë para takimit me Krijuesin e gjithësisë.

“Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri.”[1]

 

Një ndër mundësitë për t’u stolisur me këtë petk është edhe muaji Ramazan, ose më mirë të themi esenca e agjërimit është që njeriu të arrijë devotshmërinë gjatë këtij muaji të shenjtë. Allahu i Madhëruar thotë:

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”[2]

A ka diçka më të mirë sesa që njeriu të jetë i devotshëm dhe të arrijë qëllimin e Allahut dhe porosinë e të parave dhe të fundit?

“Ne u patëm sugjeruar atyre që iu pat dhënë libri para jush, e edhe juve, që të keni frikë nga Allahu.”[3]

Allahu subhanehu ue teala na ka porositur që të jemi të devotshëm dhe për ta arritur këtë qëllim na ka obliguar me agjërim ashtu siç i ka obliguar edhe popujt para nesh, ngase agjërimi trashëgon devotshmërinë (takvanë).

Takvaja ka kuptimin e preventivës, parandalimit. Takvallah apo devotshmëria ndaj Allahut ka për qëllim largimin apo tentimin për t’u larguar nga shkaqet e dënimit të Allahut, duke u larguar nga ato që ka ndaluar dhe duke pasuar ato që ka urdhëruar.

Disa komentatorë ajetin e agjërimit: “…kështu që të bëheni të devotshëm”[4], e kanë komentuar “që të mbrohemi nga mëkatet”.

 

Kur përmendim fjalën mëkat, ajo përfshin të gjitha gjërat që meritojnë dënimin në këtë botë apo botën tjetër. Muslimani mbrohet me agjërim duke ndaluar veten nga mëkatet.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi është mburojë.” Është i tillë sepse të mbron nga mëkatet duke bërë që të vdesë epshi, i cili është motivuesi kryesor që njeriu të bëjë mëkat.

 

Devotshmëria e plotë përmban në vetvete praktikimin e obligimeve dhe lënien e haramave. Ndodh që bëjnë pjesë edhe gjërat e pëlqyera dhe lënia e gjërave të urryera dhe kjo është maja e devotshmërisë. Për këtë arsye, Kurani është bërë imam dhe udhëzim për njerëzit e devotshëm.

Kurani që në fillim, në ajetet e para pas Fatihasë, është cilësuar si

ذَٰلِكَ الْكِتَابُ لَا رَيْبَ ۛ فِيهِ ۛ هُدًى لِّلْمُتَّقِينَ

 

[5] “udhëzues për ata që janë të devotshëm.”

ngase e përgatit nefsin me devotshmëri të plotë.

 

Agjërues të nderuar!

Nëse do që agjërimi juaj të mundësojë takvallëk të plotë, atëherë agjëroni Ramazanin plotësisht duke u larguar nga çdo gjë që e pengon, që të jetë ashtu si do Allahu dhe si na ka mësuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.

Omer bin Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk është takvallëku të agjërosh ditën e të falesh natën, por takvallëk është lënia e asaj që e ka bërë haram Allahu dhe kryerja e obligimeve e kush më pas furnizohet me ndonjë të mirë, ajo është e mirëseardhur.”

Agjërimi është mejdan i garave për ta arritur takvallëkun “…kështu që të bëheni të devotshëm.[6] Të devotshmit shfrytëzojnë ditët dhe netët e Ramazanit për shtim të imanit në Allahun xhele xhelale, për adhurim dhe llogaritje të vetvetes për fatkeqësitë e kryelartësisë dhe syefaqësisë, që shpesh herë e rrethojnë njeriun dhe ia asgjësojnë veprat në Ramazan dhe jashtë tij.

Të parët tanë e jetonin zemrën e takvallëkut, kuptimet e saj, ngjallnin jetën dhe adhurimet e tyre. Çdo adhurim tek ata kishte shpirt; namazi, duaja, pendimi, përmendja e Allahut, madje edhe agjërimi kishte shpirt.

 

Agjërues të nderuar!

Ejani me mua të përkujtojmë realitetin e takvallëkut ashtu si të parët tanë e ngjallnin në shpirtrat e tyre. Ndoshta do të ngjallë tek ne shpirtin e agjërimit e të jetojmë me të, me kuptimet e këtij muaji të shenjtë.

Omer Abdul Azizi i kishte shkruar dikujt duke i thënë: “Të porosis që t’ia kesh frikën Allahut, që nuk pranon tjetër pos saj dhe nuk mëshiron pos pronarët e saj, saqë shpërblen vetëm për të. Ata që porosisin për takvallaëk janë të shumtë, por ata që punojnë me të janë të paktë. Lus Allahun që të na bëjë ne dhe ju të devotshëm!”

Talk bin Habibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Takvallëku është të punosh me nënshtrim ndaj Allahut, me dritë nga Allahu, duke shpresuar në shpërblimin e Allahut dhe t’u shmangesh mëkateve me dritën nga Allahu duke iu frikësuar ndëshkimit të Allahut.”

Ne duhet të punojmë në Ramazan me nënshtrimin ndaj Allahut duke shpresuar shpërblimin e Tij dhe duke iu frikësuar ndëshkimit të Tij xhele xhelalu. Frika dhe shpresa janë si dy krahët e shpendit për të arritur tek kënaqësia e Allahut.

Le t’i vendosim përpara nesh këto kuptime gjatë agjërimit të këtij muaji.

Ebu Darda, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, duke sqaruar realitetin e takvallëkut ka thënë: “Takvallëku është që robi t’ia ketë frikën Allahut edhe qoftë sa një grimcë, derisa të largohet edhe nga disa gjëra që ai i sheh hallall duke u frikësuar se mos është haram, që të jetë perde mes tij dhe haramit.”

 

Vëlla i dashur!

Mos e përbuz kurrë të mirën, edhe nëse është sa grimca, puno me të. Mos e tolero të keqen, por largohu prej saj. Vëlla, a ke medituar? A je i gatshëm?

Kjo kërkon prej teje një vullnet të madh që të arrish shkallën e lartë të takvallëkut në muajin e devotshmërisë.

Është pyetur Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për takvallëkun dhe pastaj ka pyetur bashkëbiseduesin:

-A ke udhëtuar në një rrugë me gjemba?

-Po – iu përgjigj.

-Si ecje në të?

-Kur i pashë gjembat, largohesha anash apo kaloja pa shkelur mbi to.

-Kjo është takvallëku.

Ne do të ballafaqohemi gjatë këtij muaji me gjemba të shumtë në rrugën drejt Allahut. Ramazani është një rast i mirë që të mëson se si duhet t’i tejkalojmë këto gjemba dhe kjo është një tjetër kuptim që duhet ta shtojmë në fjalorin tonë gjatë Ramazanit.

Afrimi tek Allahu në Ramazan dhe takvallëku, ky petk me të cilin na duhet të stolisemi për të dalë para Allahut, nuk arrihet përpos duke u larguar nga harami. Muhamedi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Kush nuk i lë fjalët e rrejshme dhe punën me të, Allahu nuk ka nevojë që ta lërë ushqimin dhe pijen.”

Ebu Hurejra komenton se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi është mburojë. Nëse dikush nga ju është agjërueshëm, mos të flasë fjalë të ndyra e as të mos bëjë zhurmë. E, nëse dikush e fyen apo e sulmon, le t’i thotë unë jam agjërueshëm.”

 

Frytet e devoshmërisë

Devotshmëria është shkak për realizimin e qëllimeve të individëve dhe të shoqërisë.

“E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson punën.”[7]

 

Është shkak për pranimin e veprave:

“Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve.”[8]

 

Është shkak për dhurimin e diturisë.

 “Kini frikë Allahun, se Allahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme).”[9]

 

Devotshmëria është shkak për sjelljen e rizkut.

 “E kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë dhe e furnizon prej nga nuk e kujton fare.”[10]

Ndoshta muslimani në Ramazan ndien kënaqësinë e këtij muaji të bereqetshëm dhe vetja i anon nga punët e mira. Muslimani ia jep besën Allahut që të arrijë takvallakun duke u munduar ta praktikojë porosinë e Allahut xhele xhelale.

“O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!”[11]

 

O Allah, o Zoti ynë, ne të lutemi që të na dhurosh devotshmëri në këtë muaj, të na stolisësh me petkun e devotshmërisë në jetën e kësaj bote dhe të na mundësosh që në këtë muaj ta arrijmë kënaqësinë Tënde dhe takimin me Ty në ditën e premtuar!

 

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: rashitzylfiu.com

 

[1] Al’araf: 26.

[2] Bekare: 183.

[3] Nisa: 131.

[4] Bekare: 183.

[5] Bekare: 2.

[6] Bekare: 183.

[7] Talak: 4.

[8] Maideh: 27.

[9] Bekare: 282.

[10] Talak: 2-3.

[11] Al’imran: 102.