Urtësia e ajetit të agjërimit

0
1342

Allahu thotë:

“O ju që besuat, agjërimi (saum) u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm[1].”

Kategoritë e njerëzve përballë këtij ajeti janë dy:

  1. Ata që i përgjigjen.
  2. Ata që nuk i përgjigjen.

 

Urtësia e ajetit

  • Kujdesi i Allahut për ne

Sa butësi dhe sa urtësi ka ky ajet, edhe pse Allahu nuk është i varur e as që ka interes te ne. A nuk duhet që ne t’i hapim zemrat tona për këtë thirrje hyjnore?

  • Pesha e thirrjes

Allahu thotë: “O ju që besuat…”. Vetë thirrja tregon se pas saj pason diçka me vlerë. E vetmja lidhje e afërsisë tek Allahu është iman yt. A ia vlen që njeriu të mos agjërojë për arsye të pavend?

  • Fuqia e thirrjes

Allahu na thërret me këtë thirrje duke u përfaqësuar me iman. Nëse të vjen një ftesë, a nuk nxiton ta shikosh për çfarë është ajo ftesë. Përgjigjja është: -Po nxitoj!

  • Ndikimi i imanit

Agjërimi është dëshmi e besimit praktik. Nëse nuk agjëron, dije se ke defekt në imanin tënd. Mbaje gjallë imanin duke agjëruar. Ti agjëron për Atë që ke besuar.

  • Nuk ka kompromis

Allahu thotë:  “agjërimi (saum) u është bërë obligim…”. Muslimani i konsideron ligjet e sheriatit si ligjet kosmologjike të pandryshuara. Ligji i Allahut nuk ndryshon, agjëron apo nuk agjëron ti. Nuk ka kompromis, nuk ka negociata.

  • Nuk je i vetëm

Allahu thotë: “atyre që ishin para jush…”

Udhëtimi është i gjatë dhe nuk nis e as nuk përfundon me ty.

  • Finalja e qartë

Allahu thotë: “kështu që të bëheni të devotshëm.”

Qëllimi final i agjërimit nuk është që ti të dobësohesh në peshë, as të fitosh peshë, por të peshohesh me iman sepse të nevojitet në udhëtimin tënd për xhenet.

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: rashitzylfiu.com

 

[1] Kur’an, Bekare: 183.