Historiku i agjërimit

0
950

Historiku i agjërimit[1]

Agjërimi është një adhurim i vjetër, i cili ishte i pranishëm edhe tek popujt para nesh dhe bartej nga një popull te tjetri edhe pse ata nuk pajtoheshin për mënyrën e njëjtë. Allahu thotë:

“O ju që besuat, agjërimi (saum) u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”[2]

Allahu ua kishte bërë obligim agjërimin hebrenjve dhe ky agjërim është në ditën e dhjetë në muajin e shtatë, që quhet Tisrij. Agjërimi fillon pas perëndimit të diellit në ditën e nëntë deri në perëndimin e ditës së dhjetë, që njihet si shpagimi i gabimeve, që e quajnë Kevur, pastaj ahbarët e tyre i shtuan edhe katër ditë të tjera, që janë dita e parë e muajit të katërt, pesë, shtatë dhe dhjetë si përkujtim për mbrojtjen e Bejtul Makdisit.

Ata kanë edhe agjërim vullnetar. Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Agjërimi më i dashur tek Allahut është agjërimi i Davudit a.s. dhe namazi më i dashur është namazi i Davudit a.s.. Ai flinte gjysmën e natës dhe falej një të tretën e saj dhe flinte një të gjashtën e saj. Ai agjëronte një ditë dhe një ditë hante[3].

Agjërimi i ditës së ashuras në “Sahih”

Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Pejgamberi i Allahut kur erdhi në Medinë, hebrenjtë agjëronin ditën e ashures dhe thanë: “Kjo është dita kur Musai a.s. fitoi kundër Faraonit. Pejgamberi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, u tha shokëve të tij: “Ju keni të drejtë më shumë ndaj Musait a.s. se ata (hebrenjtë). Agjëroni![4]
Të krishterët i pasonin hebrenjtë në agjërim. Transmetohet nga Ismajil ibn Umeje që ka dëgjuar Eba Gutafan bin Trejf el Merij të thoshte: “Kam dëgjuar Abdullah ibn Abasin, Allahu qoftë i kënaqur me ata të dy, se ka thënë: “Kur Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka agjëruar ditën e ashuras dhe ka urdhëruar për agjërimin e saj, i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Ajo është dita që e madhërojnë hebrenjtë dhe të krishterët.” Në transmetimin e Ebu Davudit thuhet: “E agjërojnë hebrenjtë dhe të krishterët.” Pejgamberi alejhi selam tha: “Vitin tjetër (nëse do Allahu) do të agjërojmë ditën e nëntë.” Por vitin tjetër i Dërguari i Allahut vdiq[5].”

Më pas priftërinjtë e tyre legjitimuan dyzet ditë agjërim si pasim i Isait a.s., sepse ai kishte agjëruar dyzet ditë para se t’i vinte shpallja. Tek të krishterët lejohet agjërimi i zotimit në rast pendimi apo për arsye të tjera, por ata kanë mënyra të ndryshme të agjërimit. Ata e privojnë veten nga ushqimet e forta apo pijet apo ngrënia një herë në ditë e ushqimit, por u lejohet të ushqehen me një vakt të lehtë.

Disa autorë të tefsirit si Taberiu dhe Ibn Arabiu kanë përmendur se të krishterëve u është bërë obligim agjërimi që të mos hanë pas gjumit dhe të mos kenë raporte intime me gratë e tyre gjatë muajit të agjërimit, ndërsa ata nuk ranë në ujdi për kohën e agjërimit, që mos t’u bjerë në ditët e nxehta të gjata e as në ditë të ftohta e të shkurtra apo zgjodhën që agjërimi të jetë mes verës dhe dimrit e për këtë ndryshim që bënë thanë se do ti kompensojnë dhjetë ditë si shpagim dhe bënë që agjërimi i tyre të jetë pesëdhjetë ditë.

Në kohën para Islamit kishte agjërim siç agjëronin Kurejshët për ashuran në hadithin e Aishes, Allahu qoftë e kënaqur ndaj saj, e cila thotë: “Dita e ashuras ishte dita që agjërohej nga Kurejshët në kohën e injorancës. Pejgamberi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, agjëronte në kohën e injorancës. Kur ai erdhi në Medinë, e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi që të agjërojnë. Kur u bë obligim agjërimi, ai e la ashuran dhe kush donte, e agjëronte dhe kush donte, e linte[6].”

“…sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”

Pra, Kur’ani famëlartë na rrëfen se historiku i agjërimit është i lashtë.

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: rashitzylfiu.com

 

[1] http://islamweb.net/, përshtati në gjuhën shqipe Rashit Zylfiu.

[2] Kur’an, Bekare: 183.

[3] Mutefekun alejhi.

[4] Shënon Buhariu.

[5] Shënon Muslimi.

[6] Shënuan Ahmedi dhe Ebu Davudi, e ka saktësuar Albani.