10 hapa si të përfitojmë nga Ramazani

0
1317

10 hapa si të përfitojmë nga Ramazani[1]

Muslimani e di qëllimin e ardhjes në këtë botë dhe detyrën që është i obliguar ta kryejë, e cila është adhurimi.

Ne çdo vit e presim Ramazanin dhe e përcjellim atë, por a kemi mësuar vallë atë që kanë mësuar nga Ramazani gjeneratat e para të këtij umeti?

Transmetohet se të parët tanë gjashtë muaj e kanë lutur Allahun t’ua pranojë Ramazanin dhe gjashtë muaj të tjerë që t’ua mundësojë prapë atë.

Ramazani është një shkollë, një institucion besimi, edukate, morali dhe ekonomie. Është një adhurim që përfshin zemrën, trupin dhe pasurinë.

  • Cilët janë hapat që ne të përfitojmë nga Ramazani

 

  1. Ramazani shkollë e sinqeritetit

Njëra ndër gjërat me të cilat muslimani dallohet në këtë jetë është sinqeriteti i tij, pra punët i bën për Krijuesin e tij e jo për dikë tjetër. Sinqeriteti është faktori kryesor për ta ditur besimtari  nëse e ka veprën të pranuar apo jo, thënë më ndryshe kusht për të na u pranuar veprat është sinqeriteti.

 

  1. Ramazani shkollë e durimit

Agjërimi na mëson se duhet të jemi të durueshëm në jetë përballë sfidave me të cilat ballafaqohemi. Agjërimi përfshin të gjitha llojet e durimit, që janë durimi ndaj obligimeve hyjnore, durimi ndaj mëkateve dhe durimi ndaj caktimeve të Allahut.

  1. Ramazani shkollë e devotshmërisë

Agjëruesi i cili gjatë ditëve të Ramazanit e privon veten nga gjërat e lejuara ka mundësi ta privojë edhe jashtë Ramazanit nga gjërat e ndaluara.

  1. Ramazani shkollë e ambicieve, vullnetit dhe qëndrueshmërisë

Agjërimi me kalimin e ditëve e edukon besimtarin që të ketë ambicie për të punuar në jetë, i dhuron vullnet të cilin gjatë muajve të tjerë duhet ta shfrytëzojë në atë që është e dobishme.

  1. Ramazani shkollë e fitoreve

Besimtari gjatë muajit Ramazan mat fuqinë e tij të brendshme dhe atë fizike, mat forcën kundër armiqve të tij, kundër nefsit, veseve të këqija dhe djallit.

  1. Ramazani shkollë e menaxhimit të kohës

Njëra ndër gjërat më të shtrenjta për njeriun në këtë jetë është koha e tij. Allahu për shkak të vlerës që ka koha është betuar në Kur’an për kohën me fjalët: “Uel asër-Pasha kohën”. Ramazani nëpërmjet programit të tij strikt e mëson besimtarin se si duhet të bëhet menaxhimi i kohës në jetë. A nuk janë në minuta të caktuara iftari, syfyri, namazi i teravive dhe shumë aktivitete të tjera? Besimtari mundohet ta menaxhojë kohën e tij në Ramazan për të përfituar më shumë nga begatitë e tij.

  1. Ramazani shkollë edukative

Agjërimi në agjendën e tij ka paraparë edhe segmentin edukativ, i cili na mëson se agjërimi ynë nuk duhet të jetë i zhveshur nga etika. Ramazani na mëson se bashkë me barkun duhet të agjërojnë të gjitha pjesët e trupit tonë, larg fjalëve të kota, fyerjeve, nënçmimit, kacafytjes etj.

  1. Ramazani shkollë që na mundëson hyrjen në xhenet

Imam Buhariu transmeton se “xheneti ka tetë dyer dhe një derë quhet Rejan. Nuk hyjnë nga ajo pos agjëruesit.”[2]

  1. Ramazani shkollë e bamirësisë

 

Ramazani është një shans i madh për besimtarin që të stërvitet për të qenë human e solidar me të tjerët. Shëmbëlltyrë e tij është vetë i Dërguari i Allahut, i cili çdo herë ka qenë bujar, por në Ramazan ka qenë më bujari.

 

  1. Ramazani shkollë e mbrojtjes nga zjarri

Dy rrugë të cilat e shpien njeriun në zjarr janë epshi dhe dyshimet. Mundësia që na jep Ramazani është se na ndalon nga epshet dhe dyshimet, kështu që kur njeriu largohet nga këta dy faktorë, atëherë është larguar nga zjarri. Ramazani të jep mundësinë e vendosjes së mburojës ndaj zjarrit sepse vetë Ramazani është mburojë nga dënimi i Allahut.

[1] Data:19/07/2013

[2] Shënon Buhariu, 3257.