E ju, a do të ndryshoni?!

0
805

Secili prej nesh në këtë jetë është në kërkim të ndryshimit, të një jete më të mirë, komoditetit, shtëpisë, veshjeve, ushqimit e të tjera. Por e mira e muajit Ramazan është se ai është vetë ndryshimi. Kur vjen ky muaj, gjithçka duket më ndryshe.

I Dërguari i Allahut thotë: “ “Kur të vijë Ramazani, hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit, dhe lidhen shejtanët.”  

Ndryshimi gjatë udhëtimit të tij viziton çdo shtëpi besimtarësh, të cilët i bëjnë konak mysafirit të Allahut. Me ardhjen e hënës së re çdo zemër besimtari rreh më ndryshe, me energji të re, me zell të pakrahasueshëm për të ecur rrugës drejt xhenetit.

Ndryshimi që sjell muaji Ramazan fillon nga raportet me Allahun. Besimtarët dhe besimtaret i sheh më afër Allahut, më të përkushtuar në adhurime, më të përulur, u përgjigjen më shpejt urdhrave të Allahut.

Pastaj besimtari vazhdon me vetveten, duke u munduar t’i përmirësojë gabimet, duke kaluar nga veset e liga tek veprat e mira, nga gënjeshtra në sinqeritet.

Ndryshimi nuk harron as të tjerët sepse bamirësi duket më bujar, fytyra e jetimit dhe e fukarasë buzëqesh më shumë, kurse zekati dhe lëmosha përfshin nevojtarët.

Vëllezër dhe motra të nderuara!

Në Ramazan bota duket më ndryshe. Për tridhjetë ditë “Medreseja e Ramazanit” është e hapur dhe u jep besimtarëve një trajnim falas, u dhuron energji për të udhëtuar drejt ahiretit, i mëson, i edukon si t’i tejkalojnë sfidat dhe problemet e mundshme me të cilat mund të ballafaqohen.

E ju, a do të ndryshoni?!