Lamtumirë Ramazan!

0
1607

Kur i vjen fundi muajit Ramazan, ai e ka dërguar tashmë mesazhin e tij tek zemrat e besimtarëve, ngase Ramazani është pjesë e jetës sonë. Siç përfundoi edhe ky muaj, ashtu do të përfundojë edhe jeta jonë dhe më pas do të gëzohen një grup njerëzish dhe do të dëshpërohen grupi tjetër.

Ata të cilët do të gëzohen në fund të Ramazanit apo në fund të jetës së tyre janë ata që kanë fituar çmimin e kënaqësisë së Allahut xhele xhelalehu. Kush ka respektuar dispozitat e Tij, e ka shfrytëzuar kohën dhe e ka ndaluar veten nga gjërat që e zbehin agjërimin dhe ka bërë përpjekje për t’i shtuar të mirat e për t’i pakësuar të këqijat, ai e meriton këtë çmim të madh, që Allahu xhele xhelalehu do t’ua dhurojë agjëruesve.

Transmetohet nga Ebij Xhafer Muhamed bin Alij se ka thënë: “Kush e ka takuar Ramazanin duke qenë shëndosh si musliman, ka agjëruar ditën dhe është falur në një pjesë të natës, ka ulur shikimin, ka ruajtur epshin, gjuhën dhe dorën e tij, është falur me xhemat dhe ka nxituar për në namazin e xhumasë, ai e ka agjëruar muajin Ramazan dhe ka arritur shpërblimin, e ka takuar Natën e Kadrit dhe e ka merituar çmimin e Allahut.”

Besimtari duhet ta falënderojë Allahun që ia mundësoi që edhe këtë pjesë të jetës së tij ta kalojë në adhurim. Allahu ka urdhëruar që në fund të muajit Ramazan ta madhërojmë Atë xhele xhelalehu.

وَلِتُكَبِّرُوا اللَّـهَ عَلَىٰ مَا هَدَاكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ

 “ …  ta madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.”[2]

Falënderimet gjithmonë i takojnë Allahut, i Cili na mundësoi që ta arrijmë edhe këtë muaj dhe ta përcjellim me agjërim, duke e lutur gjithmonë Krijuesin që ta meritojmë çmimin e Tij: faljen dhe lirimin nga zjarri i xhehenemit.

Në pjesën e ajetit,

وَلِتُكَبِّرُوا اللَّـهَ عَلَىٰ مَا هَدَاكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ

 “ …  ta madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi ..” [3]
Imam Kurtubij thotë: “Ju ka udhëzuar nga ajo që të krishterët devijuan duke ndryshuar agjërimin e tyre”,[4]

“Kush e ka agjëruar Ramazanin me iman dhe duke qenë i bindur  në Allahun, i është dhënë premtimi nga gjuha e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se do t’i falen mëkatet, por jo ato të mëdhatë.”

Besimtari nuk duhet ta anashkalojë çmimin e Ramazanit. Pse? Sepse nganjëherë mëkatet e vogla sjellin ato të mëdha. Mëkati i madh falet vetëm me pendim apo nëse është e drejtë e njeriut, duhet që ai ta falë atë. Këtu shihet çmimi i Ramazanit: kur Allahu bën që ne të lirohemi nga zjarri i xhehenemit, atëherë vërtet kjo është fitorja e madhe dhe lumturia më e madhe në dy botët. Kush e meriton, ka vërtet Bajram, por kush privohet, është i dështuar në dyja botët.

Ibn Rexhepi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dita e parë e muajit Sheval është ditë Bajrami për gjithë umetin ngase në këtë ditë Allahu liron nga zjarri i xhehenemit ata që kanë vepruar mëkate të mëdha. Agjëruesit dhe mëkatarët përzihen me të devotshmit për shkak të faljes së tyre. Kështu është dhe dita e therjes (Kurban Bajrami), ngase një ditë para kësaj feste është dita e Arafatit, një ditë e papërsëritshme në këtë jetë, pasi Allahu liron më shumë njerëz nga zjarri i xhehenemit. Kush lirohet në këto dy ditë, ai vërtet ka bajram.

Transmetohet nga Ibn Abasi se “në ditën e Bajramit zbresin engjëjt në tokë duke qëndruar në çdo skaj të rrugëve. Ata thërrasin me zë që e dëgjon çdo krijesë përpos xhinëve dhe njerëzve dhe thonë: -O umet i Muhamedit! Dilni para Allahut Fisnik, që t’ua japë shpërblimin dhe t’ua falë mëkatet! E kur njerëzit dalin në ditën e Bajramit (për ta falur Bajramin), Allahu aze ve xhele u thotë melaikeve: “Cili është shpërblimi për atë që punon?” Thonë: “Zoti ynë, që t’i jepet ajo që meriton.” Allahu thotë: “Ju jeni dëshmitarë se Unë për shkak të agjërimit dhe namazit të tyre kam bërë që shpërblimi për ta të jetë kënaqësia dhe falja Ime. Kthehuni të falur!”

Po pas Ramazanit?

Vëllezër të nderuar!

Dijeni se Ramazani i këtij viti shkoi, por duhet ta dimë se Zoti xhele xhelalehu, i Cili e ka bërë këtë Ramazan obligim për ne, mbetet dhe është i përjetshëm, prandaj me përfundimin e Ramazanit nuk kanë përfunduar punët e mira; ato vazhdojnë dhe besimtari duhet të jetë në kontakt me Zotin e tij.

Nëse do shpërblim sikur të agjërosh tërë vitin, atëherë mos të të ikë agjërimi i gjashtë ditëve të muajit sheval (muaj që vjen menjëherë pas Ramazanit). Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e ka agjëruar Ramazanin e më pas e pason me gjashtë ditë nga shevari, është sikur të agjëroj tërë vitin.”[5]

Nëse do që tërë vitin të të llogaritet se je agjërueshëm, atëherë mos e lë pa agjëruar.

Kështu, të dashur vëllezër, agjëruesit dalin të gëzuar, të lumtur për ditën e faljes, ditën e mëshirës, ditën e Bajramit, kur Allahu çdo agjëruesi do t’i dhurojë çmimin e merituar.

Ndërsa të dëshpëruar janë ata që nuk e respektuan musafirin e Allahut dhe do të dëshpërohen edhe më shumë atë ditë kur do të dalin para Allahut, kur Allahu do t’i nderojë agjëruesit, kurse këta do të jenë të poshtëruar, kokulur për kohën që e kaluan kot.

I nderuar vëlla!

Në fund të këtij muaji të shenjtë jepja besën Allahut se do të qëndrosh në rrugën e Tij, do t’i respektosh urdhrat e Tij ashtu siç e respektove musafirin e Tij. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem këtë e bënte çdo ditë kur lindte dhe perëndonte dielli dhe thoshte:

اللهم انت ربى لا اله الا انت خلقتنى وانا عبدك, وانا على عهدك ووعدك مااستطعت, واعوذ بك من شر ما صنعت, وابؤلك بنعمتك على, وابؤ بذنبى فاغفر لى فانه لا يغفر الذنوب الا انت

“O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar përveç Teje, Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt, do të qëndroj besnik ndaj marrëveshjes dhe premtimit Tënd sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar, unë jam mirënjohës ndaj dhuntive të Tua, i pranoj mëkatet e mia, andaj më fal, ngase mëkatet nuk i fal askush tjetër përveç Teje.”[6]

O Zot! Na mundëso ta arrijmë Ramazanin për shumë vite me nënshtrim ndaj Teje dhe për shumë vite Ti të jesh i kënaqur me ne!

Na e prano namazin, agjërimin, leximin e Kur’anit dhe çdo vepër që e kemi bërë për Ty!

 

[1] Data:17/08/2012

[2] Bekare, 185

[3] Bekare ,185

[4] Shih Tefsir Kurtubij komentimi i kaptines Bekare, 185.

[5] Shënon Muslimi

[6] Shënon Buhariu

 

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: rashitzylfiu.com