Ramazani dhe Jusufi a.s.

0
1220

إِذْ قَالَ يُوسُفُ لِأَبِيهِ يَا أَبَتِ إِنِّي رَأَيْتُ أَحَدَ عَشَرَ كَوْكَبًا وَالشَّمْسَ وَالْقَمَرَ رَأَيْتُهُمْ لِي سَاجِدِينَ

“Kur i tha Jusufi babait të tij: “O babai im, kam parë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, edhe Diellin edhe Hënën e kam parë, si më bënin sexhde mua.”[1]

Nuk ka dyshim se mes Ramazanit dhe Jusufit a.s. ka një ngjashmëri të madhe, ka të përbashkëta që lidhen në shumë pika.

Ja disa nga këto ngjashmëri:

  1. Njëmbëdhjetë vëllezërit e Jusufit janë njëmbëdhjetë muajt e vitit, ndërsa Jusufi a.s. zëvendëson muajin Ramazan.
  2. Jakubi a.s. është simbol i hënës, e cila është shenjë për ardhjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, ashtu siç ishte ai shenjë se me Jusufin a.s. do të ndodhnin mrekulli.
  3. Njeriut gjatë njëmbëdhjetë muajve të vitit i mbushet zemra me zili, mëkate, hakmarrje, shantazhe, kurthe ashtu siç u mbushën njëmbëdhjetë vëllezërit e Jusufit a.s., por erdhi Jusufi dhe u dha mundësinë që gjithçka e keqe të fshihet, ashtu siç është Ramazani në raport me ne.
  4. Muaji i Ramazanit ka një lidhje të madhe me Jusufin a.s., duke u nisur nga dashuria. Ashtu si Jusufi ishte i dashur karshi vëllezërve të tij tek babai i tij, po ashtu Ramazani përballë muajve të tjerë është më i dashuri tek Allahu.
  5. Jusufi ishte model i durimit, po ashtu Ramazani është shkollë ku ne mësojmë durimin dhe si t’i sfidojmë gjërat në jetë.
  6. Ashtu si Jusufi e ruajti veten nga joshjet e epshit, vjen Ramazani dhe na mëson si duhet t’u ikë njeriu joshjeve të epshit në këtë botë, deri duke shkuar në atë masë sa na bën të privojmë edhe vetes që mos të kemi asnjë kontakt me të gjatë ditës kur ne agjërojmë.
  7. Ramazani ua kalon muajve të tjerë ashtu si Jusufi ua fali vëllezërve të tij gjithçka që kishin bërë. Kur i tha:

 

قَالَ لَا تَثْرِيبَ عَلَيْكُمُ الْيَوْمَ ۖ يَغْفِرُ اللَّـهُ لَكُمْ ۖ وَهُوَ أَرْحَمُ الرَّاحِمِينَ

“Unë, – tha ai, – sot nuk kam qortim për ju, Allahu do t’ju falë, Ai është i mëshirshmi mëshirëplotë.”[2]

  1. Vëllezërit e Jusufit a.s. u mbështetën në fund tek ai për të rregulluar atë çfarë kishin prishur. Po kështu Ramazani i ofron njeriut alternativën për të rregulluar atë çfarë ka prishur në shpirtëroren dhe fizikun e tij gjatë njëmbëdhjetë muajve të tjerë.
  2. Jakubi a.s. u verbua dhe nuk iu kthye shikimi edhe pse njëmbëdhjetë bijtë e tij ishin prezentë, por iu kthye shikimi vetëm atëherë kur erdhi Jusufi a.s.. Kështu është halli ynë, ne shpeshherë ngarkohemi me mëkate, por nuk i shohim vetëm se atëherë kur vjen Ramazani dhe e shohim veten se sa larg kemi qenë nga rruga e Zotit. Ramazani na jep shikim, energji, forcë për ta parë rrugën e drejtë ashtu siç ishte Jusufi a.s. shkaktar për t’ia sjellë shikimin Jakubit a.s..
  3. Ashtu si përfundon ky rrëfim me një përfundim të mirë dhe në favor të të gjithë protagonistëve, po ashtu çdo person që është në sofrën e Ramazanit në fund të tij do të ndahet i kënaqur.

Zot! Bëje të dashur Ramazanin ashtu siç e bëre Jusufin të dashur për zemrën e Jakubit a.s.!

Bëje Ramazanin shkaktar për faljen e mëkateve tona!

Ramazani le të jetë dritë që na ndriçon rrugën për të ardhur tek falja Jote. Mblidhi zemrat tona, afrona mes vete në familje, fis e shoqëri ashtu si Ramazani na bashkon të gjithëve rreth sofrës së tij!

Zot, falna me faljen që Ti di të falësh!

[1] Jusuf: 3.

[2] Jusuf: 92.