Pendimi është kthim tek Allahu, është një veprim madhor që kërkon përpjekje të madhe. Pendimi është kthim në natyrshmërinë njerëzore sepse çdokush që largohet nga Zoti është larguar nga natyrshmëria e tij dhe ka humbur identitetin e tij. Pendimi është kthimi nga rruga e shkatërrimit në rrugën e paqes dhe lumturisë. Kush kërkon pendim nuk duhet të harrojë se aq hapa sa ka kaluar duke u larguar nga Allahu, po aq i nevojiten që të kthehet tek Allahu. Dhe e rëndësishme është që ta kuptojë se i gjithë ky largim nga Allahu është si pasojë e vetes së tij, e pasimit të egos, pakujdesisë, moskapjes për litarin e Allahut dhe si pasojë e vetëbesimit të tepruar dhe mendimit të keq për Allahun.
Kthimi tek Allahu mund të arrihet vetëm kur ta kuptosh
- se ti je larg Allahut
- ta njohësh Allahun, emrat dhe cilësitë e Tij
- se je bërë rob i vetes tënde dhe i shejtanit
- se rrëzimi në pusin e epsheve është për shkak të injorancës tënde.
Çelësi i pendimit
Rruga e parë që duhet të dish drejt pendimit është të qëndrosh me veten disa momente, që ta edukosh egon me këto gjëra:
Përkujtimi dhe këshilla
Nefsi i njeriut ose do të këshillohet që ta ndryshojë gjendjen ose do të rrijë dhe vuaj pasojat nëse nuk ndryshon.
Allahu thotë:
“…atë ditë kur njeriu do të shohë çka ia kanë bërë duart e veta dhe mosbesimtari do të thotë: “Ku është ai fat të kisha qenë dhé!” [2]
“dhe do ta gjejnë të shkruar atë çka kanë bërë. Zoti yt askujt nuk do t’i bëjë padrejtësi.”[3]
Njeriu duhet patjetër të jetë transparent me nefsin e tij e t’i thotë: -O nefsi im, a je i gatshëm që të vazhdosh kështu e nesër të vuajmë të dy së bashku?!
Nefsi im, a do të ndryshosh apo do të jesh nga ata të cilët thonë “nesër, se ka kohë”? Dhe koha një ditë kalon.
Largimi nga vendet e mëkatit
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njeriu është në fenë e atij që shoqëron. Le të shikojë çdonjëri nga ju se kë po shoqëroni.”
Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Mos u shoqëro me njeriun e keq sepse ai ta hijeshon të keqen dhe dëshiron të jesh si ai.”
Ndrysho shoqërinë, ndrysho vendin ku i ke mëkatuar Zotit sepse shejtani është i gatshëm të shpalosë kujtimet e errëta të së kaluarës tënde.
Mjafton të kujtojmë rrëfimin e njeriut që vrau 99 persona.
Qortimi dhe frikësimi i nefsit
Thuaj menjëherë nefsit: -O nefs, nëse vdesim tani, si do ta takojmë Zotin e gjithësisë?
Ditët janë të numëruara në këtë jetë, vdekja është afër, dheu është shtrati yt. Kush të shtyu të jesh kaq neglizhent dhe mosmirënjohës?
Ndrysho shtëpinë tënde!
Angazhimi i nefsit
Natyra e njeriut e do rehatinë, qetësinë dhe shpeshherë ikën prej përgjegjësive. Nefsi është ai që nëse nuk e angazhon në punë të hairit, ai të angazhon në punë të sherrit, prandaj njeriu duhet t’i dijë qëllimet e jetës dhe të japë maksimumin për të qenë aktiv në jetë. Kjo jetë kërkon prej nesh angazhim dhe sakrificë për ta fituar shpërblimin e Allahut.
Rrënimi i idhujve
Pasimi i egos është në vetvete pasim i një idhulli që me kalimin e kohës njeriu e adhuron pa e kuptuar. Ka shumë gjëra në këtë jetë që njeriut i shndërrohen në idhuj dhe i adhuron pos Allahut, si pasuria, imoraliteti, mendjemadhësia, muzika, etj.
Ibrahimi alejhi selam i prishi idhujt për të adhuruar Allahun, edhe pse ata ishin të ngurtë. Kështu veproi edhe Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Kurse ne ashtu sikurse kujdesemi për trupin dhe rrobat që të jenë të pastra, duhet ta edukojmë edhe nefsin tonë duke e pastruar nga idhujt e ndryshëm që janë pengesë mes nesh dhe kthimit tek Allahu.
Autor: Rashit Zylfiu
Seria: Pse pendimi?
[1] Ligjëratë e dates 06/03/2015.
[2] Kur’an, Nebe: 78.
[3] Kur’an, Kehf, 49.