VËRTETE, TI JE NË NJË SHKALLË TË LARTË TË MORALIT!

0
1482

Të nderuar vëllezër, shpresoj se në këtë rrugëtim së bashku me ju do të ndajmë dhe kujtojmë disa çaste nga jeta e të dashurit tonë, Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Do të jemi më afër tij, për ta njohur më mirë moralin e tij. Shpresoj se ky rrugëtim do të na mundësojë të stolisemi me moralin e tij e më pas të jemi shembull për të tjerët.

A e ke imagjinuar ndonjëherë qëndrimin tënd afër Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në xhenet? Nëse e dëshiron këtë gjë, atëherë qëndro me ne për pak minuta dhe do të mësosh mënyrën që ta mundëson atë.

Fillimisht dua t’ju pyes: Si ka mundësi ai që është pranë detit që të kërkojë ujë në shkretëtirë? A është e logjikshme që nëse ke trashëguar një thesar me florinj, të dalësh dhe t’ua shtrish dorën të tjerëve?

Pyetje të tilla na shtyjnë të mendojmë se si kemi mundësi të flasim për moralin e mos të marrim si shembull atë që i mësoi njerëzimit artin e etikës, i mësoi se ç’është morali, ngase ai vërtet ishte në një shkallë të lartë të moralit. Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është shëmbëlltyrë për njerëzimin.

Kur flasim për moralin duhet të marrim si shembull Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i cili erdhi me mesazhin më madhështor dhe me të suksesshëm në historinë e njerëzimit. “Erdha për t’i përsosur virtytet e larta”, ka thënë ai. Erdhi t’i sjellë njerëzimit çelësin e suksesit të jetës. Ai ishte mëshirë, dhunti, shpëtues i njerëzimit nga errësira në dritë dhe nga vuajtja në lumturi.

Allahu thotë: “Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.”[2]

Ti vërtet do të jesh mëshirë ngase je i Dërguar i Allahut. Përgatitjet e tij u bënë që nga fillimi sepse do të vijë mëshirë, shembull praktik për botën, për ta nxjerrë atë nga robëria, vuajtja, nënçmimi, drejt krenarisë dhe adhurimit të Allahut të Madhëruar.

Mesazhin e vet e përmbledh se erdhi për të përsosur virtytet e larta. Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shprehet: “Jam dërguar për të përsosur virtytet e larta.” Në një transmetim “për të përsosur moralin”.

Ai ishte shembulli më i mirë praktik për moralin edhe në raport me të tjerët, prandaj Allahu e lavdëroi në Kuran: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”[3]

Allahu i Madhëruar i lajmëron besimtarët për dhuntinë që u solli me fjalën: “Juve ju erdhi i Dërguar nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.”[4]

Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte shembulli praktik se si duhet të jetë besimtari. Shokët e tij u edukuan nga duar e tij dhe shërbyen si shëmbëlltyrë për të tjerët dhe për atë njerëzit ua hapën zemrat para se t’ua hapin dyert e shtëpive.

Ky moral dhe kjo sjellje që morën nga i dashuri Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte shkaku kryesor i përhapjes së Islamit me një hov dhe shpejtësi të madhe në të gjitha anët e botës.

Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem jetoi në mesin e armiqve idhujtarë më shumë se gjysmë shekulli dhe më pas e plotësoi jetën e tij afër çifutëve dhe hipokritëve, të cilët nuk patën mundësi asnjëherë të gjejnë ndonjë vërejtje në moralin dhe sjelljen e tij. Ata shpenzuan pasuri dhe mund, derdhën gjak në luftë kundër tij, por nuk ia arritën dot qëllimit.

Jeta e njerëzve të mëdhenj dallon nga ajo e njerëzve të rëndomtë, por askush nga ata që njohu historia nuk pranuan që gratë e tyre të tregojnë diçka nga jeta e tyre bashkëshortore, madje jeta bashkëshortore njihej si diçka sekrete dhe kush zbulonte diçka prej saj, ndëshkohej. Të gjithë njerëzit kështu janë, nuk pranojnë të zbulojnë diçka nga jeta e tyre private, sidomos ajo bashkëshortore.

Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk u mjaftua me pëlqimin, por urdhëroi që të transmetohej çdo gjë nga jeta e tij. Gratë e tij kanë treguar çdo gjë që panë tek ai, madje edhe shumë gjëra private, për shembull si lahej me gratë e tij, si sillej me to etj., duke bërë që muslimanët të mësonin për Muhamedin më shumë sesa për prindërit e tyre, me të cilët jetonin.

Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem jetoi mes shokëve të tij, u martua me disa gra dhe urdhëroi që kush ishte i pranishëm t’ua përcillte atyre që nuk janë: “Kumtoni nga unë edhe në qoftë një ajet”. Nuk udhëtoi vetëm kurrë, as nuk u izolua ndonjëherë prej njerëzve, shokët e tij transmetuan çdo gjë nga ai, saqë disave prej tyre nuk u interesonte ndonjë punë tjetër përveç përcjelljes së jetës së Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Ata kanë përshkruar se si qëndronte në këmbë, ulur, si flinte, pozicionin si qëndronte në shtrat, si qeshte, buzëqeshjen e tij, si lahej, si merrte abdest, si hante, si pinte, cilat ushqime preferonte, përshkruan trupin e tij të pastër sikur të ishim duke e parë tani, madje përmendën edhe numrin e thinjave në kokë dhe mjekër.

Të nderuar vëllezër e motra!

I gjithë ky mund dhe kjo saktësi u bë me të vetmin qëllim: që të mos marrim si shembull askënd tjetër pos tij. Për ketë që përmendëm kanë dëshmuar edhe miqtë edhe armiqtë e tij. Dëshmia dhe lëvdata më e mirë është ajo që i dha Allahu aze ue xhel, ngase Allahu e përgatiti për të qenë Pejgamber i Tij. Allahu thotë në Kuran:  “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.”[5]

“Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit![6]

Gruaja e tij, Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, kur u pyet se cili ishte morali i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Morali i tij ka qenë Kurani.”

Shoku i tij Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Kam qenë shërbëtor i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për 10 vite dhe nuk më ka thënë of kurrë, as për punën që e kam bërë pse e bëre, as për atë që e kam lënë pse e le pa e bërë.”

Në kohën e rindërtimit të Qabesë, fisi kurejshit, fisi i Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, pati mospajtime se kush do të vendoste Gurin e Zi. Debatet u rritën aq shumë, saqë për pak sa nuk plasi lufta. Në fund u pajtuan se kush do të hynte i pari nga dera e Qabesë do të ishte ai që do të vendoste gurin. Në atë moment hyri Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe të gjithë brohoritën “El Emin!”, besniku. Pasi ranë dakord se Muhamedi ishte njeriu i duhur, ai propozoi që të merrej një pëlhurë dhe të vendosej Guri i Zi në të dhe nga një përfaqësues prej çdo fisi ta kapte pëlhurën e ta dërgonin gurin në vendin e tij, ku Muhamedi do ta vendoste në murin e Qabesë.

Një ngjarje tjetër është ajo e takimit të Herakliut me Ebu Sufjanin. Herakliu ishte i interesuar të merrte informata për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Njëra prej pyetjeve që i parashtroi Ebu Sufjanit ishte: “A ju ka gënjyer ndonjëherë?” Ebu Sufjani tha jo. “A ju ka tradhtuar ndonjëherë?”, ishte pyetja e radhës. Ebu Sufjani i tha prapë jo. Herakliu i tha: “Të pyeta a ju ka gënjyer ndonjëherë, m’u përgjigje jo. Si ka mundësi të mos ju gënjejë për gjëra tokësore e t’ju gënjejë për gjëra qiellore?!”

 

Disa thënie nga thesari i Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem

  1. Morali i mirë është shkaktar që të fut në xhenet- Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Ajo që më së shumti i fut njerëzit në xhenet është devotshmëria.”
  2. Shpërblimi që arrin ai që pajiset me moral të mirë- Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Njeriu me moral të mirë do të arrijë shkallën e agjëruesit dhe namazliut.”  Plotësimi i imanit- Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Besimtarët që kanë besimin e plotë janë ata që kanë moralin e mirë.
  3. Raportet me njerëzit- Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Sillu me njerëzit me moral të mirë.”

Dy gjëra që nuk duhet t’i ketë muslimani- Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Dy veçori nuk i takojnë besimtarit: morali i keq dhe koprracia.”

Autor: Rashit Zylfiu

 

[1] Kuran, Kalem: 4.

[2] Kuran, El Enbija: 107.

[3] Kuran, Kalem: 4.

[4] Kuran, Teube: 128.

[5] Kuran, Ahzab: 21.

[6] Kuran, Kalem: 4.