Virusi corona këshilla dhe mësime: Këshilla #15: NËSE DO ZOTI, DO BËHET MIRË

0
375

Këshilla 15: NËSE DO ZOTI, DO BËHET MIRË

 

Allahu ﷻ thotë në Kur’an: 

﴿  وَعَسَىٰ أَن تَكْرَهُوا شَيْئًا وَهُوَ خَيْرٌ لَّكُمْ     ﴾

Mund ta urreni një gjë, por ajo është e mirë për ju.” [Bekare: 216]

 

Ndoshta njeriu demoralizohet ose e godasin brengat, hallet, mërzia nga caktimet e hidhura dhe fatkeqësitë e dhimbshme dhe sëmundjet shkatërruese, sidomos kur vijnë befas, pa paralajmërim, në një kohë ku mbizotërojnë siguria dhe qetësia. Por, besimtari është i bindur në kaderin e Allahut, urtësinë, mëshirën, butësinë e Tij, e di që kjo është pastrim  për zemrat dhe tërheqje e vërejtjes nga pakujdesia për ta shndërruar sprovën në mirësi dhe belanë në dhuratë.

Nëse ndalemi dhe shikojmë dobitë, frytet, përfitimet që kthehen te njeriu në fenë, imanin, zemrën, sjelljen dhe të gjitha çështjet e tij gjatë vështirësive e sprovave që e kanë goditur, ai bindet se ajo që ka përzgjedhur Allahu për të në atë që ai e urren është më e mirë se ajo që ka përzgjedhur ai për vetveten nga ajo që dëshiron.

Profeti Muhamed ﷺ, ashtu si shënon Muslimi në sahihun e vet, ka thënë: “Është e çuditshme puna e besimtarit. E gjithë jeta e tij është dobi. Nëse atij i vjen një e mirë, ai falënderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë. E kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin.”

Hatib el Bagdadi në librin Tarih, 14/298, ka përmendur: “Është sëmurë Fadël bin Sehl Dhu Rejastin me një sëmundje në Horasan e më pas u shërua dhe shkuan njerëzit për ta vizituar. Ata biseduan dhe ai iu drejtua duke u thënë: “Në sëmundje ka begati që njerëzit e mençur duhet t’i dinë: pastrim për mëkatet, shpërblim për durimin, zgjim nga pakujdesia, përkujtim të begatisë në kohë të shëndetit, ftesë për pendim dhe inkurajim për lëmoshë”. 

Autor: Ejmen Shaban, solli për ju në gjuhën shqipe Rashit ZYLFIU

Fjalë kyçe - seria Virusi corona këshilla dhe mësime